Bota

ASEAN mblidhet në Malajzi për të provuar t'i japë fund konfliktit midis Tajlandës dhe Kamboxhias

Unioni i Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) po mblidhet për herë të dytë këtë vit në një përpjekje për të ulur tensionet

Ecem Şahinli Ögüç  | 22.12.2025 - Përdıtësım : 22.12.2025
ASEAN mblidhet në Malajzi për të provuar t'i japë fund konfliktit midis Tajlandës dhe Kamboxhias

Bangkok

Ministrat e jashtëm nga Unioni i Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) po takohen në Kuala Lumpur të Malajzisë, për të provuar t'i japin fund tensioneve kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhias, raporton Anadolu.

ASEAN po mblidhet për herë të dytë këtë vit në një përpjekje për të ulur tensionet. Përfaqësuesit nga Tajlanda dhe Kamboxhia do të takohen ballë për ballë për herë të parë që nga rifillimi i luftimeve më 7 dhjetor.

Takimi, i kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Malajzisë, Muhammad Hassan, do të mbahet sot me qëllim riaktivizimin e marrëveshjes së armëpushimit të arritur në korrik nën udhëheqjen e Malajzisë dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t'i dhënë fund luftimeve.

Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur në korrik dhe të nënshkruar në Samitin e 47-të të ASEAN-it në Kuala Lumpur, Malajzi më 26 tetor, palët kishin rinisur luftimet.

Konfliktet rezultuan në vdekjen e 18 civilëve kamboxhianë dhe 21 ushtarëve tajlandezë, dhe mijëra u zhvendosën.


- Mosmarrëveshja Tajlandë-Kamboxhia

Tailanda dhe Kamboxhia, të vendosura në Azinë Juglindore dhe që ndajnë një kufi prej 817 kilometrash, kanë një mosmarrëveshje për kufijtë e tyre që daton që nga pushtimi francez i Kamboxhias në fund të shekullit të 19-të.

Përplasjet e para ndodhën në vitin 2008 kur Kamboxhia u përpoq të regjistronte një tempull të shekullit të 11-të në territorin e diskutueshëm si një Vend të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Pavarësisht një armëpushimi të shpallur në tetor të këtij viti, përleshjet midis dy vendeve rifilluan më 7 dhjetor, me të dyja palët që fajësonin njëra-tjetrën dhe qindra mijëra njerëz nga të dy vendet u evakuuan nga rajoni kufitar.

Më 12 dhjetor, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Tajlanda dhe Kamboxhia kishin rënë dakord për një armëpushim pas diskutimeve.

Nga ana tjetër, kryeministri tajlandez, Anutin Charnvirakul deklaroi, pas njoftimit të armëpushimit të Trump, se "Tajlanda do të vazhdojë veprimet e saj ushtarake derisa të ndiejë se nuk ka dëm ose kërcënim për territorin dhe popullin tonë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.