Artisti i ri irakian krijon skulptura në miniaturë duke gdhendur majat e lapsave
Skulptori irakian gdhend me kujdes majën e lapsit të tij, duke krijuar mikro-skulptura të bukura dhe interesante, zakonisht 2-10 milimetra të gjata, dhe ndonjëherë mund të kalojë javë ose muaj duke përfunduar një skulpturë të vetme.

Bagdad
Murtaza al-Yabani nga Iraku, i cili praktikon me sukses gdhendjen me laps, një formë e re e skulpturës, krijon vepra interesante duke gdhendur objekte dhe figura të ndryshme në majat e lapsave, raporton Anadolu.
Yabani 29-vjeçar i cili jeton në kryeqytetin Bagdad, është i interesuar në një formë arti që rrallë shihet diku tjetër në botë. Ky art, i realizuar në një shkallë mikro, kërkon kujdes, precizion dhe durim të madh.
Skulptori irakian gdhend me kujdes majën e lapsit të tij, duke krijuar mikro-skulptura të bukura dhe interesante, zakonisht 2-10 milimetra të gjata, dhe ndonjëherë mund të kalojë javë ose muaj duke përfunduar një skulpturë të vetme.
"Është një formë e rrallë arti që kërkon kujdes të veçantë, përqendrim dhe durim"
Duke i shpjeguar hollësitë e artit të tij për Anadolu, artisti irakian tha se u interesua për skulpturën në shkollën e mesme dhe vazhdoi ndjekjen e këtij arti gjatë izolimit të koronavirusit në vitin 2020.
"Ky art që krijoj me majën e lapsit kërkon kujdes të veçantë, përqendrim dhe durim. Është një art i rrallë. Mendoj se ka vetëm gjashtë njerëz në botë që e praktikojnë këtë art. Kam provuar dhe kam bërë gabime 45 herë para se ta mësoja. Megjithatë, falë këmbënguljes sime në këtë art të rrallë, e mësova zanatin", tha ai.
Yabani shpjegoi se ky art është i shtrenjtë dhe se ai punon me lapsa që porosit nga jashtë vendit.
"Ndonjëherë duhet të mbash frymën ndërsa punon"
Duke theksuar sfidat e artit të tij, Yabani deklaroi se praktikimi i këtij zanati mund të çojë në probleme me kyçet.
"Më duhet të punoj të paktën pesë orë në ditë. Koka ime duhet të jetë ulur gjatë punës dhe duhet të shmang çdo gjë, përfshirë edhe telefonin. Edhe sytë e mi kanë filluar të ndikohen. Ndonjëherë më duhet të mbaj frymën për të shmangur gabimet dhe thyerjen e lapsit. Gabimi më i vogël mund ta prishë punën. Puna më e vogël mund të zgjasë 20 orë. I ndaj këto 20 orë në katër ditë".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.