Bota

Arratisen 6 palestinezë nga një burg izraelit

Forcat e sigurisë vazhdojnë të kërkojnë gjashtë palestinezë të cilët u arratisën mbrëmë nga tuneli që kishin hapur nga burgu Gilboa në veri të vendit, shkroi media izraelite

Yaser Arafat Mohamed Albanna, Hamdi Yıldız  | 06.09.2021 - Përdıtësım : 06.09.2021
Arratisen 6 palestinezë nga një burg izraelit

Kuds

Gjashtë të burgosur palestinezë janë arratisur nga një burg në Izrael duke gërmuar tunel, thanë autoritetet izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi të transmetuesit zyrtar izraelit KAN, i cili ka cituar Administratën e Burgjeve, forcat e sigurisë vazhdojnë të kërkojnë gjashtë palestinezë të cilët u arratisën mbrëmë nga tuneli që kishin hapur nga burgu Gilboa në veri të vendit.

Sipas lajmit, në mesin e të arratisurve është një anëtar i grupit Dëshmorët e Al-Aksasë, krahut të armatosur të organizatës Fatah, si dhe një i Xhihadit Islam.

Thuhet se të arratisurit qëndruan në të njëjtën qeli në burg dhe gërmuan tunel prej dhjetë metrash.

Gjersa theksohet se kërkimi për palestinezët në ikje vazhdon me ndihmën e helikopterëve dhe mjeteve ajrore pa pilot, gazeta izraelite Maarif njoftoi se shumë roje sigurie janë dërguar në rajon dhe se po zhvillohen operacione intensive kërkimi.

Nga ana tjetër, faqja e internetit Walla News shkroi se të gjithë të arratisurit ishin të dënuar me burgim të përjetshëm.

I hapur në vitin 2004, burg Gilboa thuhet të jetë një nga burgjet më të rrepta në Izrael.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın