Armenia pranoi fluturimin e parë nga Turqia në mes të procesit të normalizimit
Aeroporti "Zvartnos" ka pranuar fluturimin e parë nga aeroporti "Sabiha Gokcen" i Stambollit rreth orës 02:20 të mëngjesit të sotëm, i operuar nga transportuesi turk buxhetor "Pegasus Airlines"

Jerevan
Fluturimet reciproke çarter kanë rinisur të mërkurën midis Stambollit dhe Jerevanit mes bisedimeve midis Turqisë dhe Armenisë për normalizimin e marrëdhënieve, raporton Anadolu Agency (AA).
Aeroporti "Zvartnos" ka pranuar fluturimin e parë nga aeroporti "Sabiha Gokcen" i Stambollit rreth orës 02:20 të mëngjesit të sotëm, i operuar nga transportuesi turk buxhetor "Pegasus Airlines".
Një fluturim i linjës ajrore "FlyOne" u nis nga aeroporti ndërkombëtar "Zvartnos" i Jerevanit në orën 18:00 të mërkurën drejt aeroportit "Sabiha Gokcen" të Stambollit.
Nuk ka pasur fluturime direkte midis Turqisë dhe Armenisë për rreth 2 vjet pasi linja ajrore turke "Atlasjet" falimentoi në shkurt të vitit 2020.
"Pegasus Airlines" dhe "FlyOne Armenia" do të kryejnë tre fluturime në javë midis Stambollit dhe Jerevanit.
- Procesi i normalizimit
Pavarësisht se janë vende fqinje, Turqia dhe Armenia kanë pasur vështirësi në marrëdhëniet diplomatike që kur Armenia shpalli pavarësinë në vitin 1991 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Të dy vendet kanë qenë të ndara për një sërë çështjesh, nga refuzimi i Armenisë për të njohur një kufi të përbashkët deri tek pushtimi i Karabakut dhe ngjarjet e vitit 1915 midis Shtetit Osman dhe armenëve.
Megjithëse, Turqia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Armenisë në vitin 1991, kufiri midis dy vendeve kishte mbetur i mbyllur që nga viti 1993 pas pushtimit i Karabakut nga Armenia.
Në një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet, Turqia dhe Armenia nënshkruan "protokollet e Cyrihut" në vitin 2009, por nuk arritën të ratifikojnë marrëveshjen në parlamentet e tyre kombëtare përkatëse.
Marrëdhëniet dypalëshe, megjithatë, kohët e fundit morën një dimension të ri drejt normalizimit me të dërguarit specialë turq dhe armen, Serdar Kilic dhe Ruben Rubinyan, duke mbajtur takimin e tyre të parë në Moskë më 14 janar, ku të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë negociatat pa parakushte që synojnë "normalizimin e plotë".
Në një tjetër zhvillim pozitiv, Armenia njoftoi se do të heqë embargon ndaj importeve turke në janar.
Gjithashtu, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu javën e kaluar njoftoi se ministri i Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan dhe Rubinyan pritet të marrin pjesë në Forumin vjetor të Diplomacisë në Antalya të Turqisë në mars, megjithëse Armenia ende nuk e ka konfirmuar këtë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.