Arabia Saudite raporton sulme me raketa dhe dronë ndaj një porti në Detin e Kuq dhe një rafinerie kyçe
Ministria e Mbrojtjes thotë se mbrojtja ajrore rrëzoi një raketë balistike që synonte portin Yanbu, ndërsa një dron goditi rafinerinë SAMREF
Stamboll
Ministria saudite e Mbrojtjes njoftoi të enjten se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar një raketë balistike që synonte portin Yanbu në Detin e Kuq dhe raportoi për goditjen e një droni në një rafineri të rëndësishme nafte, teksa tensionet rajonale po përshkallëzohen, transmeton Anadolu.
Yanbu ka qenë një nga dy pikat kryesore të eksportit të naftës bruto nga vendet e Gjirit, që kur Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit si kundërpërgjigje ndaj sulmeve SHBA-Izrael.
Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se raketa balistike që synonte portin u rrëzua, pa dhënë detaje të tjera lidhur me dëme apo viktima të mundshme.
Ministria gjithashtu bëri të ditur se një dron ka rënë në rafinerinë Aramco-ExxonMobil (SAMREF) në të njëjtin qytet, duke shtuar se dëmet janë ende duke u vlerësuar.
Më herët, ministria kishte njoftuar se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin interceptuar dhe shkatërruar tetë dronë të lëshuar drejt mbretërisë, përfshirë objektiva në Riad dhe Rajonin Lindor.
Sulmet ndodhën në një kohë kur SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke shkaktuar deri tani rreth 1.300 viktima, përfshirë edhe udhëheqësin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë në shënjestër Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe aviacionin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
