Arabia Saudite: Nëse KS-OKB dështon të ndalojë sulmet e Izraelit, kjo mund të shkaktojë pasoja të tmerrshme
"Dënojmë me termat më të forta dhe më të fuqishme vendimin e marrë nga administrata pushtuese izraelite për të pushtuar Rripin e Gazës", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme saudite

Istanbul
Arabia Saudite paralajmëroi se nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) nuk arrin të ndalojë sulmet dhe shkeljet e Izraelit në Gaza, kjo mund të çojë në pasoja të tmerrshme, transmeton Anadolu.
Ministria e Jashtme saudite reagoi me një deklaratë me shkrim ndaj vendimit të Izraelit për të pushtuar Gazën.
"Dënojmë me termat më të forta dhe më të fuqishme vendimin e marrë nga administrata pushtuese izraelite për të pushtuar Rripin e Gazës", thuhet në deklaratën në të cilën dënohet gjithashtu uria e imponuar nga ushtria izraelite ndaj popullit palestinez dhe krimet e spastrimit barbar etnik që vazhdon në Gaza.
Duke vënë theksin se populli palestinez është pronar i atyre tokave sipas ligjit ndërkombëtar, deklarata bën të ditur se "Idetë dhe vendimet çnjerëzore të miratuara nga autoritetet pushtuese izraelite paraqesin paaftësinë e tyre për të kuptuar lidhjet historike dhe emocionale që populli palestinez ka me këto toka".
Më tej deklarata paralajmëron se dështimi i komunitetit ndërkombëtar dhe i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndaluar menjëherë sulmet dhe shkeljet e Izraelit mund të minojë themelet e rendit dhe legjitimitetit ndërkombëtar dhe të shkaktojnë pasoja të tmerrshme si gjenocidi dhe zhvendosja me forcë.
"Krimet e pafundme të Izraelit e bëjnë të domosdoshme që komuniteti ndërkombëtar të marrë qëndrime parandaluese dhe efektive për t'i dhënë fund katastrofës humanitare që po përjeton populli ynë vëllazëror palestinez", theksohet në deklaratë.
Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi një plan të ri që parashikon pushtimin e qytetit të Gazës i cili ndodhet në veri të Rripit të Gazës. Në një intervistë për "Fox News" para mbledhjes së kabinetit, Netanyahu tha se synojnë të marrin nën kontroll të gjithë Gazën.