Politikë, Bota

Arabia Saudite dënon planet e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve në zonën "E1" të Bregut Perëndimor

- Arabia Saudite dënoi "në termat më të forta të mundshme" miratimin e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve që në fakt do ta ndanin Bregun Perëndimor të pushtuar në dy pjesë të shkëputura

Asiye Latife Yılmaz  | 15.08.2025 - Përdıtësım : 15.08.2025
Arabia Saudite dënon planet e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve në zonën "E1" të Bregut Perëndimor

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Arabia Saudite dënoi "në termat më të forta të mundshme" miratimin e Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve që në fakt do ta ndanin Bregun Perëndimor të pushtuar në dy pjesë të shkëputura, transmeton Anadolu.

"Mbretëria denoncon deklaratat e ministrit të Jashtëm izraelit që pengojnë krijimin e një shteti palestinez, duke i konsideruar ato shkelje të së drejtës ndërkombëtare", tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.

Ajo tha se këto vendime dhe deklarata konfirmojnë vazhdimin e qeverisë izraelite të "politikave të paligjshme ekspansioniste, pengimin e saj të përpjekjeve për paqe dhe kërcënimin serioz ndaj mundësisë së një zgjidhjeje me dy shtete".

"Kjo kërkon që bashkësia ndërkombëtare të marrë përsipër përgjegjësitë e saj ligjore dhe morale, të mbrojë popullin palestinez dhe të përmbushë të drejtat e tyre legjitime, përfshirë njohjen e shtetit palestinez", thuhet në deklaratë.

Ajo bëri thirrje që Izraeli të detyrohet të përfundojë agresionin e tij në Rripin e Gazës, të ndalojë aktivitetet e paligjshme në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, të ndalojë krimet kundër palestinezëve dhe t'i mbajë përgjegjës ata që janë përgjegjës.

Riadi nënvizoi se bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme "për të detyruar autoritetet pushtuese izraelite të ndalojnë krimet e tyre kundër popullit palestinez dhe territorit të pushtuar palestinez" dhe të sigurojnë pajtueshmërinë me rezolutat e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar.

Të enjten, media izraelite raportoi se ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich miratoi ndërtimin e 3.401 njësive të banimit në Ma'ale Adumim në lindje të Kudsit dhe 3.515 të tjerave në zonat përreth. Projekti synon të ndajë Bregun Perëndimor në dy pjesë, duke prerë lidhjet midis qyteteve të tij veriore dhe jugore dhe duke izoluar Kudsin Lindor.

Në një mendim këshillimor korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın