Anketë: Vetëm 16 për qind e gjermanëve do të luftonin për vendin
Një shumicë e qartë, 59 për qind thanë se "ndoshta nuk" ose "padyshim nuk" do të ishin të përgatitur për të mbrojtur Gjermaninë ushtarakisht nëse sulmohet

Berlin
Një sondazh i zhvilluar në Gjermani zbuloi se shumica e gjermanëve nuk duan të marrin armët në duar në një situatë të mundshme "për mbrojtje të vendit", transmeton Anadolu.
Në anketën e realizuar nga kompania kërkimore "Forsa" për median gjermane "Redaktionsnetzwerk Deutschland", 16 për qind e të anketuarve u përgjigjën "patjetër" dhe 22 për qind "ndoshta" do ta mbronin Gjermaninë me armë në rast të një sulmi ushtarak.
Një shumicë e qartë, 59 për qind thanë se "ndoshta nuk" ose "padyshim nuk" do të ishin të përgatitur për të mbrojtur Gjermaninë ushtarakisht nëse sulmohet. Midis grave, ky hezitim ishte edhe më i madh, 72 për qind ndërsa tek burrat 46 për qind.
Gjithashtu 41 për qind e të anketuarve e konsiderojnë ushtrinë gjermane si një nga më të keqpajisurat midis vendeve të NATO-s. Në sondazh 67 për qind mbështesin dyfishimin e investimeve në mbrojtjen kombëtare deri në vitin 2032 ndërsa 30 për qind e konsiderojnë këtë si të papranueshme.
Sipas sondazhit, 60 për qind e të anketuarve mbështesin kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nëse numri i vullnetarëve për shërbim ushtarak në vitet e ardhshme është i pamjaftueshëm, ndërsa 37 për qind e kundërshtojnë atë.
Ndërkohë 61 për qind e të rinjve të moshës 18-29 vjeç kundërshtojnë kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
- Shërbimi i detyrueshëm ushtarak u pezullua në vitin 2011
Në Gjermani, ku shërbimi ushtarak u pezullua në vitin 2011, ka 181 mijë ushtarë. Qeveria gjermane synon ta rrisë këtë numër në 203 mijë deri në vitin 2031. Për shkak të popullsisë në plakje të vendit dhe mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar, vendi has në vështirësi në gjetjen e personelit për shërbimin ushtarak dhe thuhet se numri i synuar i vitit 2031 nuk do të arrihet.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e përshkroi më parë heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak si një "gabim". Ai tha se shërbimi ushtarak nuk mund të rivendosej shpejt dhe se vendi i tij ka nevojë edhe për 60 mijë ushtarë të tjerë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.