Bota

Anketë, 65 për qind e gjermanëve besojnë se ushtria izraelite ka kryer krime lufte në Gaza

Vihet në dukje se 59 për qind e të anketuarve thanë se sulmet e Izraelit në Gaza janë gjenocid

Cüneyt Karadağ  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Anketë, 65 për qind e gjermanëve besojnë se ushtria izraelite ka kryer krime lufte në Gaza

Berlin

Një anketë e zhvilluar në Gjermani tregon se 65 për qind e qytetarëve besojnë se ushtria izraelite po kryen krime lufte në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Instituti Gjerman për Studime Globale dhe Rajonale (GIGA) publikoi rezultatet e një ankete të realizuar në gusht me 1.050 pjesëmarrës. Anketa shqyrtoi qëndrimet e publikut ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, mbulimin mediatik të çështjes, perceptimet e antisemitizmit dhe qasjen e Gjermanisë për përgjegjësinë historike.

Anketa e zhvilluar mbi pikëpamjet e qytetarëve të Gjermanisë për Gazën dhe politikën e jashtme për Izraelin, zbuloi se opinioni publik kërkon politika të bazuara në të drejtën ndërkombëtare dhe qëndrim të bazuar në të drejtat e njeriut.

Vihet në dukje se 59 për qind e të anketuarve thanë se sulmet e Izraelit në Gaza janë gjenocid. Ndërsa 65 për qind e pjesëmarrësve në anketë thanë se ushtria izraelite ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Gaza.

Po ashtu 69 për qind e të anketuarve kërkuan që politika e jashtme e Gjermanisë të formësohet nga e drejta ndërkombëtare dhe të drejtat universale të njeriut dhe jo nga "arsyeja shtetërore" (Staatsraeson).

Sipas sondazhit, 63 për qind e të anketuarve kërkojnë që qeveria gjermane të deklarojë qartë dhe të dënojë krimet e luftës së Izraelit në Gaza ndërsa 61 për qind e tyre vunë re se kritikat ndaj Izraelit duhet të dallohen nga antisemitizmi.

Gjithashtu 39 për qind e të anketuarve e gjetën mbulimin mediatik gjerman për Lindjen e Mesme (veçanërisht për Gazën dhe Izraelin) të balancuar ndërsa 40 për qind deklaruan se mediat u kanë dhënë më shumë hapësirë ​​zërave pro-izraelitë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.