Politikë, Bota

Anija turke shpëtoi 54 marinarë në kryqëzorin e dëmtuar të marinës ruse "Moskva"

Kryqëzori rus dërgoi një thirrje fatkeqësie gjatë natës, tha ministri i Mbrojtjes i Lituanisë

Faruk Zorlu  | 15.04.2022 - Përdıtësım : 15.04.2022
Anija turke shpëtoi 54 marinarë në kryqëzorin e dëmtuar të marinës ruse "Moskva"

Ankara

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Arvydas Anusauskas, tha se një anije turke evakuoi 54 pjesëtarë të personelit në bordin e kryqëzorit rus të Flotës së Detit të Zi “Moskva”, i cili thuhet se u godit nga Ukraina, transmeton Anadolu Agency (AA).

Anusauskas në Facebook njoftoi se kryqëzori rus dërgoi një thirrje fatkeqësie gjatë natës.

“Në orën 1:14 të mëngjesit, kryqëzori qëndronte i shtrirë në njërën anë dhe pas gjysmë ore, e gjithë energjia elektrike u ndal. Nga ora 2:00, anija turke evakuoi 54 marinarë nga kryqëzori dhe rreth orës 3:00 të mëngjesit, Turqia dhe Rumania raportuan se anija ishte mbytur plotësisht. Humbja e pjesëtarëve të personelit rus është ende e panjohur, megjithëse në bord kishte 485 anëtarë të ekuipazhit (66 prej tyre oficerë)”, tha Anusauskas.

Të mërkurën vonë, Maksym Marchenko, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Ukrainës në Odessa, tha në Telegram se Moskva u godit me dy raketa antianije “Neptun”.

“Raketat Neptun që ruanin Detin e Zi shkaktuan dëme shumë të rënda në anijen ruse. Lavdi Ukrainës!”, tha ai në postimin e tij.

Ai gjithashtu pretendoi se kishte rreth 510 anëtarë të ekuipazhit në bord.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të enjten se një zjarr kishte shpërthyer në anije dhe ishte shuar.

“Burimi i zjarrit në kryqëzorin Moskva është i lokalizuar. Nuk ka djegie të hapur. Shpërthimet e municioneve u ndalën”, tha ministria në një deklaratë.

Ajo tha se kryqëzori mbeti në det, armatimi kryesor i tij raketor nuk ishte dëmtuar dhe po merreshin masa për të tërhequr anijen në port.

Më vonë gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes tha se Moskva u fundos për shkak të një stuhie gjatë tërheqjes pasi pësoi dëmtime në trupin e saj nga zjarri.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.