
Shkup
Nëpërmjet një thirrjeje, Agjencia Anadolu ka dënuar veprimet e qeverisë izraelite ndaj Gazës, të cilat ajo i përshkruan si "të shndërruara në gjenocid në mënyrë të vetëdijshme" që nga tetori 2023, duke tërhequr vëmendjen për rrezikun me të cilin po përballen gazetarët të cilët raportojnë nga enklava palestineze.
Në deklaratën e publikuar nga agjencia e lajmeve me titull "Thirrje në lidhje me gazetarët në rrezik urie në Gaza", thuhet se mijëra civilë palestinezë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, janë vrarë masivisht, ndërsa spitalet, shkollat, kampet e refugjatëve dhe vendbanimet civile janë bombarduar qëllimisht.
AA thekson se krimet e luftës po përshkallëzohen përmes bllokimit të ndihmave humanitare, ndalimit të hyrjes së ushqimeve dhe barnave, dhe pengesave në qasjen ndaj ushqimeve bazë, duke e dënuar popullin e Gazës në uri të qëllimshme.
Anadolu ka vënë theksin mbi gazetarët në Gaza, të cilët, sipas agjencisë, po vazhdojnë të raportojnë nën kërcënimin e urisë dhe rrethanave çnjerëzore.
"Kolegët tanë që punojnë për të dëshmuar dhe për t'ia transmetuar botës përpjekjet për mbijetesë të civilëve nën kushte të vështira, po e vazhdojnë misionin e tyre edhe duke qenë vetë nën kërcënimin e urisë. Gazetarët, të dënuar të vazhdojnë në këtë mjedis privimi që qeveria izraelite ka synuar ta krijojë, nga njëra anë po përmbushin detyrën e tyre profesionale, dhe nga ana tjetër po përballen me një betejë për mbijetesë", thekson AA.
"Populli i Gazës, përfshirë 113 kolegë tanë që veprojnë në Gaza, po përpiqen të mbijetojnë në një mjedis ku të drejtat themelore të jetës janë në shënjestër të drejtpërdrejtë nga Izraeli. Ne ndjekim me shqetësim se si këto kushte, si uria dhe mungesa e ushqimit dhe ujit, ndikojnë drejtpërdrejt në kolegët tanë që punojnë në terren", thuhet në deklaratë.
Anadolu i bën thirrje opinionit publik ndërkombëtar, organizatave të të drejtave të njeriut, shoqatave të gazetarëve dhe të gjithë ndërgjegjes globale që të ngrenë zërin së bashku kundër kësaj "errësire".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.