Bota

Anadolu siguron imazhe nga spitali ku po merr trajtim Ahmedi, siriani që shpëtoi shumë jetë në sulmin në Australi

Ahmed al-Ahmed falënderoi mbështetësit e tij dhe i kërkoi nënës së tij të lutej për shëndetin e tij

Ahmet Karaahmet, Muhammed Karabacak  | 15.12.2025 - Përdıtësım : 15.12.2025
Anadolu siguron imazhe nga spitali ku po merr trajtim Ahmedi, siriani që shpëtoi shumë jetë në sulmin në Australi

Damask

Siriani Ahmed al-Ahmed, i cili ndërhyri me guxim në një nga sulmet e armatosura në Sydney të Australisë, ku u vranë 15 persona, dërgoi një video nga spitali duke përshkruar vështirësitë e përvojës së tij dhe duke i kërkuar nënës së tij të lutet për shëndetin e tij, transmeton Anadolu.

Ahmedi, 43-vjeç, i cili parandaloi një tragjedi më të madhe duke çarmatosur një nga sulmuesit, falënderoi të gjithë ata që e mbështetën në një video të dërguar xhaxhait të tij nga spitali.

"Jam mirënjohës për të gjithë ata që ndihmuan. Shpresoj të jem me ju në ditë më të mira. Përshëndetje të gjithëve që qëndruan me guxim pranë meje", tha Ahmedi duke iu drejtuar nënës së tij me fjalët: "Nënë, mos u shqetëso. Lutu për mua. Kam kaluar diçka të vështirë".

Ahmed al-Ahmed u dërgoi përshëndetje miqve të tij Haxh Gaasan, Abdullah, Alaa, Ahmed dhe Bilal.

- Sulmi në Sydney

Sulmi i armatosur ndodhi dje në plazhin Bondi në Sydney, Uellsi i Ri Jugor, Australi. Policia tha se sulmuesit në të shtënat, të cilat vranë 15 persona dhe plagosën 42 të tjerë, ishin babë e bir.

Raportohet se njëri nga të dyshuarit u vra dhe tjetri, i cili u plagos u arrestua.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese tha se sulmi ishte drejtuar kundër australianëve hebrenj. Përfaqësuesit e komunitetit musliman në vend e dënuan sulmin dhe shprehën solidaritet me të prekurit dhe familjet e tyre.

Ahmed al-Ahmed, i cili ndërhyri me guxim në të shtënat dhe çarmatosi njërin nga të dyshuarit, u bë temë diskutimi në mediat australiane.

Ahmedi u plagos në krah dhe në dorë gjatë sulmit dhe u dërgua në spital për trajtim.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi disa orë pas sulmit se kishte parë një video të aktit heroik.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın