Amerika Latine kritikon dorëheqjen e presidentit të Bolivisë
Argjentina, Venezuela, Kuba dhe Meksika i referohen procesit si "grusht shtet"

Buenos Aires
Argjentina, Venezuela, Kuba dhe Meksika kanë kritikuar dorëheqjen e presidentit të Bolivisë, Evo Morales, shkurt kohë pasi kreu i ushtrisë i bëri thirrje që të tërhiqej, duke e etiketuar procesin si një "grusht shtet", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në Twitter, presidenti i zgjedhur i Argjentinës, Alberto Fernandez, i cili do të marrë pushtetin në dhjetor, tha se një "grusht shteti" u inskenua në Bolivi për shkak të protestave të dhunshme të civilëve, neglizhencës së forcave policore dhe mosreagimit të ushtrisë.
Fernandez kritikoi procesin e cili rezultoi në dorëheqjen e Moralesit dhe i bëri thirrje Bolivisë që të jetë në anën e demokracisë.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, u ka bërë thirrje të gjitha grupeve sociale dhe politike në botë që të protestojnë kundër veprimit të ushtrisë boliviane.
Maduro shkroi në Twitter se e dënon "grusht shtetin" kundër Moralesit dhe tha se populli i Venezuelas do të organizojë protesta për të mbrojtur të drejtat e popullit autokton të Bolivisë, i cili ishte "viktimë" e racizmit.
Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel Bermudez, tha se djathtistët në Bolivi sulmuan demokracinë me një "grusht shteti" të dhunshëm dhe frikacak dhe se ai qëndroi me Moralesin, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mobilizohej për lirinë e tij.
Ministri i jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, tha se shteti i tij do të mbante qëndrimin e respektit për demokracinë dhe se refuzon operacionin ushtarak në vazhdim e sipër në Bolivi.
"Jo grusht shtetit", shtoi ai.
Ebrard tha se shteti i tij do t'i ofronte azil Moralesit, duke shtuar se 20 zyrtarë bolivianë nga pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës po "strehohen" në ambasadën e Meksikës në qytetin La Paz të Bolivia.
Përmes një deklarate, Morales të dielën tha se ai dha dorëheqje për të parandaluar dëmtimin e mundshëm të opozitës dhe popullit bolivian dhe nënvizoi se ai nuk kishte asnjë arsye për të ikur nga vendi.
Duke theksuar se ai edhe më tej do të vazhdojë të luftojë për paqe dhe barazi, ai tha: "Kjo nuk përfundon këtu".
Morales tha se ka qeverisur me vendin për mbi 13 vite dhe se ata që humbën në zgjedhje, e akuzojnë atë për diktaturë.
Bolivia është përfshirë nga trazira politike pas pretendimeve për parregullsi në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 20 tetor, në të cilat organizatat ndërkombëtare të monitorimit pretenduan se kishin zbuluar manipulime në sistemin e votimit.
Morales fitoi 47,8 për qind të votave dhe siguroi fitore në rrethin e parë të zgjedhjeve.
Carlos Mesa, lideri i partisë kryesore opozitare Fronti Revolucionar i Majtë, kishte deklaruar se nuk do ta njohë fitoren e Moralesit, duke pretenduar se kishte "mashtrim" në numërimin e votave.
Morales është president që nga viti 2006.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.