Bota

Ambasadorët sudanezë në Francë, Belgjikë dhe Zvicër dënojnë pushtimin ushtarak

"Ne e dënojmë me termat më të ashpër grusht shtetin brutal ushtarak dhe mirëpresim qëndrimet e fuqishme ndërkombëtare, si dhe u bëjmë thirrje vendeve dhe popujve paqedashës të refuzojnë grusht shtetin", thanë ambasadorët

Mahmoud Mohamed Barakat  | 26.10.2021 - Përdıtësım : 27.10.2021
Ambasadorët sudanezë në Francë, Belgjikë dhe Zvicër dënojnë pushtimin ushtarak Foto: AA/Arkiv

Ankara

Sipas Ministrisë së Informacionit të qeverisë së shpërbërë të Sudanit, ambasadorët e vendit në Francë, Belgjikë dhe Zvicër kanë dënuar pushtimin ushtarak në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ky reagim vjen në një deklaratë të lëshuar nga ministria në rrjetet sociale dhe e nënshkruar nga ambasadori sudanez në Francë, ai në Belgjikë dhe nga ai në Zvicër.

"Ne e dënojmë me termat më të ashpër grusht shtetin brutal ushtarak dhe mirëpresim qëndrimet e fuqishme ndërkombëtare, si dhe u bëjmë thirrje vendeve dhe popujve paqedashës të refuzojnë grusht shtetin", thanë ambasadorët.

Më tej, në letër thuhet se ambasadorët shpallin rreshtimin e tyre me "rezistencën heroike" të popullit sudanez dhe njoftojnë se ambasadat sudaneze në Francë, Belgjikë dhe Zvicër janë ambasada për "popullin sudanez dhe revolucionin e tyre".

Dje, këshilli ushtarak në pushtet i Sudanit shpalli gjendje të jashtëzakonshme, si dhe shpërndau këshillin sovran kalimtar dhe qeverinë disa orë pasi arrestoi kryeministrin Abdalla Hamdok dhe ministrat në qeverinë e tij civile.

Këshilli po ashtu pezulloi disa dispozita të dokumentit kushtetues që përshkruan tranzicionin politik në Sudan.

Pas një grusht shteti të dështuar ushtarak muajin e kaluar, midis ushtrisë dhe administratës civile në Sudan shpërthyen tensione të thella mes protestave rivale në Khartoum.

Para marrjes së pushtetit, Sudani administrohej nga një këshill sovran zyrtarësh ushtarak dhe civil, i cili mbikëqyrte periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e planifikuara për vitin 2023, si pjesë e një pakti të pasigurt për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit 'Forcat për liri dhe ndryshim'.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.