Ambasadorja finlandeze: Finlanda synon partneritet me Turqinë për zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe ndërtim
Sipas saj, Turqia ka forcat tokësore më të mëdha në Evropë, duke e bërë atë një partner të rëndësishëm për Finlandën, veçanërisht në krahun jugor të NATO-s
Ankara
Ambasadorja finlandeze nw Ankara, Pirkko Mirjami Hamalainen, ka deklaruar se vendi i saj dëshiron të partnerizohet me Turqinë dhe sektorin e saj të fuqishëm të ndërtimit për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, duke zgjeruar njëkohësisht bashkëpunimin tashmë intensiv në fushën e mbrojtjes.
Duke folur pwr Anadolu, Hamalainen tha se Finlanda pret që përpjekjet bashkëpunuese mes dy vendeve të zgjerohen në fusha të reja, veçanërisht në industrinë e ndërtimit.
Ajo theksoi se projekte të përbashkëta janë të mundshme si në nivel bilateral ashtu edhe në vende të treta dhe se Helsinki është e gatshme të bashkëpunojë me Ankaranë për rindërtimin e Ukrainës.
Hamalainen deklaroi se mbështetja e Turqisë për anëtarësimin e Finlandës në NATO është e rëndësishme përballë rreziqeve të sigurisë në Evropë.
Ajo shtoi se anëtarësimi i të dy vendeve në NATO do t’u mundësojë atyre të bashkëpunojnë më ngushtë dhe të punojnë së bashku.
Sipas saj, Turqia ka forcat tokësore më të mëdha në Evropë, duke e bërë atë një partner të rëndësishëm për Finlandën, veçanërisht në krahun jugor të NATO-s.
Ajo shtoi se nënshkrimi i një marrëveshjeje për bashkëpunim në mbrojtje mes dy vendeve vitin e kaluar ka nxitur promovimin e ndërsjellë të kompanive dhe ka intensifikuar më tej përpjekjet dypalëshe në fushën e mbrojtjes.
