Bota

Ambasadori kinez nuk lejohet të hyjë në Parlamentin britanik

Kryetarët e të dy dhomave në Parlament bllokuan vizitën e ambasadorit Zheng Zeguang për shkak të sanksioneve kineze ndaj politikanëve britanikë

Ahmet Gürhan Kartal   | 15.09.2021
Ambasadori kinez nuk lejohet të hyjë në Parlamentin britanik

Londër

Ambasadori kinez në Mbretërinë e Bashkuar, Zheng Zeguang është ndaluar nga Parlamenti britanik pasi ftesa për ta vizituar Dhomën e Ulët u anulua të martën, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Masa erdhi si një reagim ndaj sanksioneve nga Kina ndaj 5 deputetëve konservatorë dhe 2 anëtarëve të Dhomës së Lordëve në mars, raportoi "The Daily Telegraph".

Kina kishte vendosur sanksione ndaj 10 organizatave dhe individëve në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë ish-udhëheqësin e Partisë Konservatore Iain Duncan Smith për pretendimet e përhapjes së "gënjeshtrave dhe dezinformatave" rreth shkeljeve të pretenduara të të drejtave të njeriut të muslimanëve ujgurë në provincën Xinjiang.

Kryetari i Dhomës së Ulët, Sir Lindsay Hoyle dhe Lordi John McFall, kryetar në Dhomën e Lartë, bllokuan ambasadorin kinez Zheng Zeguang pasi ai do të merrte pjesë në një pritje të mërkurën e organizuar nga grupi i të gjitha partive në Kinë.

"Unë mbaj takime rregullisht me ambasadorë nga e gjithë bota për të krijuar lidhje të qëndrueshme midis vendeve dhe parlamentarëve", tha Hoyle për "The Daily Telegraph".

"Por, unë nuk mendoj se është e përshtatshme që ambasadori i Kinës të takohet në Dhomën e Ulët dhe në vendin tonë të punës kur vendi i tij ka vendosur sanksione kundër disa prej anëtarëve tanë", tha ai.

“Nëse hiqen këto sanksione, atëherë sigurisht që kjo nuk do të ishte një çështje. Nuk po them se takimi nuk mund të vazhdojë. Unë thjesht po them se nuk mund të ndodhë këtu derisa sanksionet mbeten në fuqi”, tha Hoyle.

Politikanët e sanksionuar janë Sir Iain, Tom Tugendhat, Nus Ghani, Neil O’Brien dhe Tim Loughton. Ata kanë kryesuar një fushatë që kërkon sanksione kundër Kinës për abuzimet e pretenduara të të drejtave të njeriut nga Kina kundër ujgurëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.