Bota

Ambasadori amerikan në Izrael e quan dhunën e kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar “terrorizëm”

Diplomati amerikan konfirmoi se ka pasur një “përshkallëzim” të dhunës së kolonëve izraelitë kundër civilëve palestinezë, të cilën ai e përshkroi si “akte terrorizmi”

Betül Yılmaz  | 20.11.2025 - Përdıtësım : 20.11.2025
Ambasadori amerikan në Izrael e quan dhunën e kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar “terrorizëm”

Kuds/Stamboll

Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, e ka përshkruar dhunën e kolonëve të paligjshëm izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar si “terrorizëm”, transmeton Anadolu.

“Edhe izraelitët mund të kryejnë akte terrorizmi”, tha Huckabee për rrjetin amerikan ‘News Nation’.

“Por shumica e këtyre njerëzve nuk janë kolonë të vërtetë që jetojnë atje. Ky është një numër shumë i vogël, kryesisht të rinj, të zemëruar dhe të pakënaqur. Këta janë banditë”, shtoi ai.

Diplomati amerikan konfirmoi se ka pasur një “përshkallëzim” të dhunës së kolonëve izraelitë kundër civilëve palestinezë, të cilën ai e përshkroi si “akte terrorizmi”.

Ai tha se autoritetet izraelite po kërkojnë t’i sjellin ata që janë përgjegjës para drejtësisë.

“Ata që kryejnë akte terrorizmi, edhe nëse janë izraelitë, do të ndiejnë forcën e plotë të ligjit”, theksoi ambasadori Huckabee.

Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 1.076 palestinezë janë vrarë dhe rreth 10.700 të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë dhe kolonëve të paligjshëm izraelitë në territorin e pushtuar. Më shumë se 20.500 të tjerë gjithashtu janë arrestuar.

Sipas Komisionit për Rezistencë ndaj Kolonizimit, gjatë të njëjtës periudhë kolonët e paligjshëm izraelitë kanë kryer 7.154 sulme kundër palestinezëve dhe pronës së tyre në Bregun Perëndimor.

Në përgjigje të pyetjes mbi armëpushimin në Gaza, Huckabee shprehu optimizëm për përparimin e marrëveshjes, duke theksuar se “ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme qetësie”.

Lidhur me shitjen e avionëve F-35 nga SHBA-ja në Arabinë Saudite, Huckabee përjashtoi çdo shqetësim nga Tel Avivi, pasi “Izraeli e di se ende ka kërkesa statutore nga SHBA-ja që Izraeli të ketë një epërsi në aspektin e mekanizmave mbrojtës dhe armëve amerikane”.

“Ne kemi një marrëveshje me Izraelin që ata supozohet të kenë epërsi ushtarake në Lindjen e Mesme. Unë mendoj se ata besojnë se SHBA-ja do ta respektojë këtë”, shtoi ai.

SHBA-ja dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar disa marrëveshje strategjike gjatë vizitës në Washington të Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, përfshirë shitjen e avionëve luftarak F-35.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se avionët luftarak që planifikohen t’i shiten Riadit do të jenë “shumë të ngjashëm” me modelet e shitura Izraelit, duke theksuar se të dy vendet janë aleatë “të shkëlqyer” të SHBA-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.