Bota

Ambasada turke në bashkëpunim me Gjyshatën Bektashiane të Elbasanit organizojnë iftar

Në iftarin e organizuar në ambientet e Kalasë së Elbasanit ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të institucioneve shqiptare, përfaqësues të biznesit, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të ftuar të tjerë

Fatjon Cuka  | 26.03.2024 - Përdıtësım : 28.03.2024
Ambasada turke në bashkëpunim me Gjyshatën Bektashiane të Elbasanit organizojnë iftar Foto: Olsi Shehu / AA

Elbasan

Ambasada turke në Tiranë në bashkëpunim me Gjyshatën Bektashiane të Elbasanit kanë organizuar një iftar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme, raporton Anadolu.

Në iftarin e organizuar në ambientet e Kalasë së Elbasanit ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të institucioneve shqiptare, përfaqësues të biznesit, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij tha se Elbasani ka një vend të veçantë sa i përket historisë së përbashkët dhe lidhjeve kulturore.

"Viti i kaluar ka qenë një vit i veçantë për dy shtetet, kombet dhe popujt tanë. Kemi festuar 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Türkiye -Shqipëri. Ne kemi besim të plotë se edhe në shekullin e dytë të marrëdhënieve tona diplomatike, marrëdhënie të cilat tashmë janë ngritur në nivelet më të larta strategjike, ndërmjet dy partnerëve strategjike shpresojmë që të vijojnë të thellohen edhe në të ardhmen", tha Atay.

Atay foli edhe për parregullsitë dhe shkeljet në procesin zgjedhor në Komunitetin Musliman të Shqipërisë (KMSH), institucion që kontrollohet nga organizata terroriste FETO.

Ambasadori Atay u shpreh se fatkeqësisht, ende ka mbetje të FETO-s në institucionin kryesor fetar në Shqipëri (KMSH). Ai tha se vizita zyrtare e kryeministrit Edi Rama në Türkiye muajin e kaluar ishte shumë e suksesshme, duke shtuar se liderët ranë dakord për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Atay foli edhe për konfliktin e fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se "Ndëshkimi kolektiv dhe gjenocidi që ndodhi aktualisht në Gaza na kujtoi me dhimbje se sa fort duhet të mbahemi pas vlerave universale të njerëzimit. Kjo është arsyeja pse muajin e Ramazanit e përjetojmë me trishtim".

Si përfaqësues i Gjyshatës Bektashiane të Elbasanit përshëndeti Haxhi Baba Ardit Selmani, i cili theksoi se buka e kësaj sofre u shtoftë dhe u begatoftë mot e për mot.

"Kjo darkë iftari e shtruar edhe me bujarinë e Ambasadës së Republikës së Türkiyes na ka bashkuar sot jo vetëm në vëllazërinë e Elbasanit, por edhe më larg, me bektashinjtë e largët kudo ato ndodhen, me gjithë ata që kanë agjëruar me zemër dhe me trup", tha Selmani.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja tha se muaji i Ramazanit është një muaj i shenjtë i sakrificës për të gjithë besimtarët dhe për të gjithë agjëruesit. "Do ta quaja muaj feste për të gjithë ata të cilët sakrifikojnë, sepse janë më afër me Zotin, ndihem më afër dhe me njëri-tjetrin dhe përpiqen të bëjnë vetëm të mira", u shpreh Llatja.

Damian Gjiknuri, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë, u shpreh se sakrifica dhe agjërimi të bën dhe të meditosh. "Duke medituar mendon më mirë dhe për veten, por dhe për raportet me natyrën dhe me Zotin. Është një muaj me të vërtet i lavdishëm, është sakrificë për çdo besimtar, por njëkohësisht nëpërmjet kësaj ne përçojmë dhe mesazhin e paqes, bashkëjetesës dhe mirësisë", tha Gjiknuri.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın