Ambasada e Turqisë në Shkup organizon ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun
- Në ceremoninë e mbajtur në rezidencën e Ambasadës turke në Shkup, morën pjesë zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të institucioneve turke, ministra, deputetë, kryetarë komunash dhe zyrtarë të tjerë

Shkup
SHKUP (AA) - Në Shkup në organizim të ambasadës turke është mbajtur ceremoni përkujtimore për përvjetorin e nëntë të tentativës për grusht shteti në Turqi, tentativë e ndërmarrë nga organizata terroriste FETO, që shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e mbajtur në rezidencën e ambasadës, morën pjesë, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, kryeparlamentari Afrim Gashi, zv.kryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), Shaqir Fetahu, ministra, deputetë, kryetarë komunash, udhëheqës dhe përfaqësues të partive politike në vend, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendase, si dhe shumë të ftuar.
Programi nisi me një minutë heshtje dhe intonimin e himnit kombëtar turk.
Në fjalën e tij, Ambasadori Fatih Ulusoy i kujtoi të pranishmëve se kanë kaluar nëntë vjet që nga përpjekja e pabesë për grusht shteti e organizatës terroriste FETO dhe tha se janë mbledhur për të përkujtuar dëshmorët dhe luftën heroike të kombit turk për demokraci.
Ulusoy vuri në dukje se përpjekja për grusht shteti e 15 korrikut u pengua nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe qëndrimin e vendosur të popullit turk, duke shtuar: "15 korriku është fitorja e kombit".
Ambasadori turk theksoi se organizata e errët, e cila shfrytëzon të gjitha vlerat universale për agjendat e saj të fshehta, përbën një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare e të gjitha vendeve dhe shoqërive në të cilat vepron. "Një pjesë e madhe e strukturave të FETO-s në vendet mike dhe aleate janë ndërprerë falë bashkëpunimit ndërkombëtar të kryer nga shteti ynë. Herët a vonë, kjo organizatë terroriste dhe kriminale do të shpërbëhet plotësisht. Kur kjo të ndodhë, anëtarët e organizatës që banojnë në disa vende të treta do të bëhen barrë për këto vende", tha ai.
Ulusoy vuri në dukje se ata po vazhdojnë me vendosmëri përpjekjet e tyre për të mbyllur institucionet arsimore të lidhura me FETO-n jashtë vendit dhe për t'i transferuar ato në Fondacionin Turk Maarif (TMV), dhe kujtoi se si rezultat pozitiv i këtyre përpjekjeve, aktivitetet e shkollave të FETO-s janë ndërprerë në shumë vende mike dhe vëllazërore.
Duke vënë në dukje se Fondacioni Turk Maarif ka marrë përsipër më shumë se 200 shkolla në shumë vende, Ulusoy tha: "Pas 15 korrikut, Fondacioni Turk Maarif hapi shkolla që ofrojnë arsim të nivelit të lartë në të gjitha rajonet dhe shpëtoi shumë nxënës nga kurthi i FETO-s. Maqedonia e Veriut është ndër vendet ku vepron Fondacioni Maarif. Për më tepër, me keqardhje vërejmë se FETO vazhdon të ruajë praninë e saj në Maqedoninë e Veriut dhe, nën petkun e një institucioni arsimor, shfrytëzon emrin e Yahya Kemal, njërit prej poetëve më të rëndësishëm të letërsisë turke."
Ambasadori turk tha se nuk i kanë harruar qytetarët e vendit mik dhe vëllazëror të Maqedonisë së Veriut, të cilët në kohën gjatë dhe pas përpjekjes së popullit turk me puçistët e FETO-s, ishin krah Turqisë. "Ne besojmë se anëtarët e FETO-s nuk kanë vend në këtë vend mik dhe vëllazëror. Prania juaj këtu me ne sot e tregon vërtet këtë. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këtë fushë me mikun dhe aleatin tonë, Maqedoninë e Veriut, do të japë rezultate konkrete. Turqia do të vazhdojë luftën e saj të vendosur kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n, si brenda ashtu edhe jashtë vendit", theksoi Ulusoy.
Si pjesë e programit, u bënë lutje dhe të ftuarit vizituan ekspozitën për 15 Korrikun, të përgatitur me kontributet e Anadolus dhe Institutit "Yunus Emre" (YEE).