Bota

Alivanoset drejtuesi i një kompanie farmaceutike në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, ndërhyn Dr. Oz

Pas rifillimit të ngjarjes, Trump tha se shefi ekzekutiv i kompanisë "Novo Nordisk" “ndjeu pak marramendje” dhe “ra përtokë”, por shtoi se “është mirë”

Muhammed Yasin Güngör  | 06.11.2025 - Përdıtësım : 06.11.2025
Alivanoset drejtuesi i një kompanie farmaceutike në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, ndërhyn Dr. Oz

Stamboll

Një drejtues farmaceutik u rrëzua pa ndjenja sot në Shtëpinë e Bardhë gjatë njoftimit të presidentit Donald Trump mbi kostot e barnave për humbje peshe, duke shkaktuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore nga Dr. Mehmet Oz, transmeton Anadolu.

Gordon Findlay, përfaqësues i kompanisë “Novo Nordisk”, u alivanos ndërsa drejtori ekzekutiv i “Eli Lilly”, David Ricks, po fliste në një ngjarje në Zyrën Ovale, ku Trump dhe drejtuesit e kompanive farmaceutike po njoftonin një marrëveshje për zgjerimin e mbulimit dhe uljen e çmimeve të barnave për obezitet “Zepbound” dhe “Wegovy”.

Dr. Oz, mjek dhe administrator i Qendrave për Shërbimet e Kujdesit dhe Ndihmës Mjekësore në administratën Trump, reagoi menjëherë për t’i dhënë ndihmë Findlayt, së bashku me persona të tjerë në sallë.

Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., ishte gjithashtu i pranishëm, por u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, tha se Kennedy “nxitoi të kërkonte ndihmë mjekësore ndërsa të tjerët po kujdeseshin për personin”.

Gazetarët u shoqëruan jashtë dhomës dhe transmetimi u ndërpre pas incidentit.

Pas rifillimit të ngjarjes, Trump tha se Findlay “ndjeu pak marramendje” dhe “ra përtokë”, duke shtuar se përfaqësuesi “është mirë”.

“Ata sapo e dërguan jashtë dhe ka mjekë këtu. Por është mirë”, tha presidenti amerikan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.