Bota

Algjeria nis procedurat për anulimin e marrëveshjes së shërbimeve ajrore me Emiratet e Bashkuara Arabe

Marrëveshja u nënshkrua në Abu Dhabi më 13 maj të vitit 2013 dhe u ratifikua me dekret presidencial më 30 dhjetor të vitit 2014

Rania R.a. Abushamala  | 08.02.2026 - Përdıtësım : 08.02.2026
Algjeria nis procedurat për anulimin e marrëveshjes së shërbimeve ajrore me Emiratet e Bashkuara Arabe

Algjer

Autoritetet algjeriane kanë bërë të ditur se kanë nisur procedurat e nevojshme për anulimin e një marrëveshjeje për shërbimet ajrore me Emiratet e Bashkuara Arabe, transmeton Anadolu.

Agjencia shtetërore e lajmeve APS raportoi se Algjeria do ta njoftojë palën e Emirateve të Bashkuar Arabe për anulimin përmes “kanaleve diplomatike”, në përputhje me nenin 22 të marrëveshjes, si dhe do të informojë sekretarin e përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

Sipas APS-së, marrëveshja u nënshkrua në Abu Dhabi më 13 maj të vitit 2013 dhe u ratifikua me dekret presidencial më 30 dhjetor të vitit 2014.

Nuk u dhanë detaje lidhur me arsyet e këtij vendimi nga ana e Algjerisë.

Deri sot pasdite nuk ka pasur ndonjë prononcim nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas diskrecionit të secilit autoritet kompetent, marrëveshja parashikon të drejtën e autoriteteve të aviacionit të të dyja palëve për të caktuar një ose më shumë transportues ajror për operimin e linjave të dakorduara, me mundësinë e tërheqjes, ndryshimit ose zëvendësimit të këtyre caktimeve.

Ajo gjithashtu u jep autoriteteve të aviacionit të secilës palë kontraktuese të drejtën të revokojnë, pezullojnë ose kufizojnë licencat e operimit të transportuesve ajror të caktuar, në rast shkeljeje të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi ose mosrespektimi të kushteve të marrëveshjes.

Marrëveshja lejon caktimin e një numri të pakufizuar transportuesish kombëtarë nga të dyja vendet për të operuar fluturime të rregullta pa kufizime, me çdo kapacitet, duke përdorur lloje të ndryshme avionësh, qoftë në pronësi apo me qira, si dhe me një numër të pakufizuar fluturimesh.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.