Aktivistët zvicerianë të Flotiljes Globale kundër kërkesës së qeverisë për të mbuluar shpenzimet e kthimit nga Izraeli
"Sigurisht, ne nuk do t'i paguajmë këto fatura dhe do ta luftojmë këtë me avokatët tanë sepse, në fund të fundit, ne po përmbushim detyrën e autoriteteve zvicerane", tha Crettenand
Gjenevë
MUHAMMET IKBAL ARSLAN
Aktivistët zviceranë që iu bashkuan Flotiljes Globale "Sumud" për të thyer bllokadën në Gaza dhe për të ofruar ndihmë humanitare reaguan ndaj marrjes së faturave nga qeveria e tyre që kërkojnë rimbursim (pagesë) për shërbimet e ofruara nën mbrojtje konsullore dhe shpenzimet e emergjencës pas ndalimit të tyre në Izrael ndërsa thanë se nuk do t'i paguajnë këto fatura, raporton Anadolu.
Samuel Crettenand, një aktivist zviceran me Flotiljen Globale "Sumud", të cilën Izraeli e sulmoi dhe e ndaloi në ujërat ndërkombëtare, iu përgjigj pyetjeve të AA-së lidhur me faturën që qeveria u ka dërguar për shpenzimet e bëra për aktivistët që nga ndalimi i tyre në Izrael deri në kthimin e tyre në vendin e tyre.
Ai thotë se dje mori një faturë në kutinë postare nga qeveria zvicerane që kërkonte tarifa të ndryshme. Këto fatura mbulojnë kontaktet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Zvicerane me autoritetet izraelite, vizitat në burgje dhe lehtësinë dhe ndihmën e ofruar ndaj tyre për kthimin e tyre në shtëpi.
Crettenand thekson se qeveria zvicerane i kishte përmbushur përgjegjësitë për qytetarët e saj të ndaluar në Izrael në minimumin e domosdoshëm, duke u kujtuar atyre se, sipas Konventës së Vjenës, vendet janë të detyruara t'u ofrojnë këto shërbime falas qytetarëve të tyre.
"Ata (qeveria zvicerane) nuk ishin vërtet të përgatitur. Mendoj se prania e tyre atje ishte më shumë për t'i thënë Izraelit 'Na vjen keq, kemi njerëz që shkojnë në Palestinë', pavarësisht që ne u rrëmbyem në ujëra ndërkombëtare, jo në Izrael. Autoritetet zvicerane ishin atje për të demonstruar bashkëpunimin e tyre me Izraelin" deklaroi Crettenand.
- "Ne nuk do t'i paguajmë këto fatura dhe do ta luftojmë këtë me avokatët tanë"
Crettenand tha se të gjithë aktivistët morën fatura me shuma të ndryshme dhe reaguan ndaj situatës, duke shtuar se fatura e tij, përfshirë kërkesën për kthimin e parave të dhëna për të blerë rroba, ishte mbi 800 franga zvicerane.
"Sigurisht, ne nuk do t'i paguajmë këto fatura dhe do ta luftojmë këtë me avokatët tanë sepse, në fund të fundit, ne po përmbushim detyrën e autoriteteve zvicerane. Kur një gjenocid shpallet nga zyrtarët e OKB-së, shtetet kanë detyrën të ndihmojnë civilët e prekur nga gjenocidi. Prandaj, ne po përmbushim detyrën e autoriteteve zvicerane. Ky vendim i Ministrisë së Punëve të Jashtme Zvicerane (dërgimi i faturave ndaj aktivistëve) është vërtet i turpshëm, por ne e dimë se nuk është një surprizë", u shpreh Crettenand.
Ai tha se ata janë në dijeni të marrëdhënies së ngushtë të ministrit të Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis me "shtetin sionist" të Izraelit dhe shtoi se Cassis ka mbajtur qëndrim miqësor ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu që kur hyri në politikë.
"Ne duhet ta ndërpresim këtë (bashkëpunim me Izraelin) tani sepse është e pamundur të vazhdojmë ta portretizojmë Zvicrën si bashkëpunëtore të gjenocidit (në Gaza)", shtoi ai.
- "Jemi shumë mirënjohës ndaj qytetarëve dhe qeverisë turke për ndihmën e tyre"
Duke vënë në dukje ndihmën e ofruar nga autoritetet turke gjatë dhe pas ndalimit të tyre në Izrael, Crettenand tha se ata nuk do ta harrojnë kurrë këtë mbështetje.
"Duhet të them se jemi shumë mirënjohës ndaj qeverisë turke për ndihmën e tyre, e cila riatdhesoi disa nga qytetarët turq dhe disa nga aktivistët tanë zviceranë, duke mbuluar shpenzimet e fluturimit dhe veshmbathjen e tyre në Stamboll", tha Crettenand duke shtuar:
"Unë u lirova në Jordani dhe morëm mbështetje të madhe nga qytetarët jordanezë. Pasi u burgosa në Izrael, demonstrimi i humanizmit nga këta individë (në Turqi dhe Jordani) ishte shumë i rëndësishëm për ne dhe kjo mbështetje është shumë e rëndësishme në zemrën time".
