Aktivistët në bordin e anijes Handala drejt Gazës zotohen se do të hyjnë në grevë urie nëse ndalohen nga Izraeli
- “Kjo është dita e gjashtë. Dje, në mënyrë kolektive, ekuipazhi njoftoi se nëse ushtria izraelite sulmon anijen tonë dhe na pengon të arrijmë në Gaza, do të hyjmë menjëherë në grevë urie”, tha Huwaida Arraf, aktiviste dhe avokate amer

Palestinian Territory
STAMBOLL (AA) - Ekuipazhi i anijes Handala, një mjet humanitar që po udhëton drejt Rripit të Gazës, njoftoi se do të hyjë në grevë urie nëse anija ndalohet nga forcat izraelite, transmeton Aandolu.
“Kjo është dita e gjashtë. Dje, në mënyrë kolektive, ekuipazhi njoftoi se nëse ushtria izraelite sulmon anijen tonë dhe na pengon të arrijmë në Gaza, do të hyjmë menjëherë në grevë urie”, tha Huwaida Arraf, aktiviste dhe avokate amerikane, në një mesazh zanor të publikuar në një video në llogarinë X të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë.
“Nuk jemi të interesuar të marrim ushqim apo ujë nga një pushtet gjenocidal pushtues dhe sigurisht jo në mënyrën si ata e përdorin këtë për propagandë, ndërkohë që po i lënë fëmijët palestinezë të vdesin nga uria”, shtoi ajo.
Ajo theksoi se nëse në çfarëdo mënyre sulmojnë anijen Handala dhe pengojnë hyrjen në Gaza, i gjithë ekuipazhi i anijes do të hyjë në grevë urie
“Grevën tonë të urisë do ta zhvillojmë gjithashtu në bashkërendim dhe solidaritet me agjërimin global për Gazën që po zhvillohet tani dhe mbështesim thirrjen e dalë nga gazetarët palestinezë në Gaza që u kërkojnë njerëzve anembanë botës të dalin para ambasadave dhe zyrave të politikanëve, të godasin tenxhere dhe tiganë, të bëjnë zhurmë, të jenë të zëshëm dhe të kërkojnë veprim të menjëhershëm për t’i dhënë fund fushatës së urisë së Izraelit dhe për të hapur Gazën”, theksoi aktivistja amerikane.
Në agimin e së premtes, Koalicioni i Flotiljes së Lirisë njoftoi në Telegram se anija po vazhdon misionin e saj dhe ndodhet më pak se 349 milje detare (646 kilometra) larg Gazës.
Sipas koalicionit, komunikimi me anijen Handala u rivendos mëngjesin e sotëm pas një ndërprerjeje dyorëshe gjatë së cilës u vëzhguan dronë pranë mjetit lundrues.
“Për rreth dy orë, komunikimet me anijen e Flotiljes së Lirisë ishin të ndërprera dhe u vërejtën dronë pranë saj, duke ngjallur shqetësime serioze për një sulm të mundshëm”, thuhej në deklaratë.
Grupi u bëri thirrje mbështetësve që “të mbajnë sytë te Handala dhe te Palestina dhe të vazhdojnë presionin ndaj qeverive dhe mediave për të thyer rrethimin e paligjshëm të Gazës”.
Më 2 maj, anija MV Conscience, që i përkiste Koalicionit të Flotiljes së Lirisë dhe transportonte ndihma për Gazën, u sulmua nga dronë në ujërat ndërkombëtare pranë Maltës, duke shkaktuar zjarr dhe dëme strukturore.
Më 9 qershor, Izraeli ndaloi një tjetër anije ndihmash, Madlene, në ujërat ndërkombëtare përballë bregdetit të Gazës, duke ndaluar dhe më vonë dëbuar 12 aktivistë ndërkombëtarë, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg dhe deputeten franceze të Parlamentit Evropian, Rima Hassan, me kusht që të mos përpiqeshin të ktheheshin.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë në Rripin e Gazës më shumë se 59.700 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake ka shkatërruar tërësisht enklavën, ka rrëzuar sistemin shëndetësor dhe ka shkaktuar mungesa ekstreme ushqimore.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.