Aktivistët e ndaluar në anijen humanitare për Gazën në ditën e 5-të të grevës së urisë në burgun izraelit
- "Pesë aktivistë janë transferuar në aeroport sot herët për t'u deportuar menjëherë", tha Koalicioni i "Flotiljes së Lirisë".

Istanbul
STAMBOLL (AA) – Aktivistët e huaj që u ndaluan gjatë fundjavës në anijen e ndihmave për Gazën po vazhdojnë grevën e urisë për të pestën ditë radhazi, në shenjë proteste ndaj ndalimit nga ana e Izraelit, thanë organizatorët, transmeton Anadolu.
Anija "Handala", e ngarkuar me formulë për foshnja, ushqime dhe barna, u kap nga forcat izraelite pranë brigjeve të Gazës më 26 korrik. Në bord ndodheshin 21 civilë të paarmatosur, përfshirë ligjvënës, mjekë dhe vullnetarë.
Koalicioni i "Flotiljes së Lirisë" tha në një deklaratë se shtetasi amerikan Christian Smalls dhe tuniziani Hatem Aouini ndodhen ende të ndaluar nga Izraeli në burgun "Givon" në Ramla, në pjesën qendrore të Izraelit.
Pesë aktivistë të tjerë u transferuan në aeroport sot herët për t'u deportuar menjëherë, shtoi ai. Të gjithë aktivistët e tjerë janë deportuar tashmë drejt vendeve të tyre të origjinës.
Anija me ndihma ishte nisur nga Italia në përpjekje për të thyer bllokadën e Izraelit, e cila e ka lënë popullsinë 2.4 milionëshe të Gazës në prag të urisë masive. Në muajt e fundit, Izraeli ka ndërprerë disa anije ndihmash që po shkonin drejt Gazës në ujërat ndërkombëtare.
Në qershor, forcat izraelite kapën anijen "Madleen", duke ndaluar 12 aktivistë ndërkombëtarë, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg dhe deputeten franceze të Parlamentit Evropian Rima Hassan. Një muaj më parë, anija "MV Conscience" u sulmua me dronë pranë Maltës.
Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Gazës për 18 vjet dhe, që nga 2 marsi, ka mbyllur të gjitha pikat kufitare, duke bllokuar hyrjen e autokolonave me ndihma dhe duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për t'i rihapur ato.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 154 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori i vitit 2023, përfshirë 89 fëmijë.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 60 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesë të thellë ushqimi.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij ndaj enklavës palestineze.