Bota

Aktivisti shpalos flamurin palestinez në parlamentin gjerman gjatë debatit për politikën e jashtme

Aktivisti ndërpreu ministrin e Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, teksa ai fliste për Gazën, duke protestuar ndaj karakterizimit të situatës në enklavë nga ministri gjerman

Ekip, Ayhan Şimşek  | 26.11.2025 - Përdıtësım : 26.11.2025
Aktivisti shpalos flamurin palestinez në parlamentin gjerman gjatë debatit për politikën e jashtme

Berlin

Një aktivist pro-palestinez ka shpalosur një flamur palestinez në parlament gjatë një debati për politikën e jashtme, duke protestuar ndaj politikës së Gjermanisë për Gazën, transmeton Anadolu.

Aktivisti ndërpreu ministrin e Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, teksa ai fliste për Gazën, duke protestuar ndaj karakterizimit të situatës në enklavë nga ministri gjerman.

"Ne vazhdojmë të shohim se në Rripin e Gazës ka një armëpushim të brishtë", u tha Wadephul deputetëve të parlamentit para se të ndërpritej.

Ndërkaq, demonstruesi bërtiti "Nuk ka armëpushim" duke protestuar ndaj shkeljeve të fundit të Izraelit ndaj marrëveshjes së armëpushimit, të cilat vranë qindra palestinezë si dhe ndaj mungesës së presionit të Gjermanisë ndaj Izraelit për veprimet e tij në Gaza.

Nënkryetari i Parlamentit, Omid Nouripour, i cili po drejtonte seancën, ndërhyri shpejt për të ndalur ndërprerjen. Tre punonjës të sigurisë më pas e shoqëruan me forcë të riun jashtë seksionit të vizitorëve.

Gjermania ka qenë një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve për Izraelin vitet e fundit. Nga 7 tetori i vitit 2023 deri më 5 qershor të vitit 2025, Gjermania autorizoi shitje armësh për Izraelin në vlerë mbi 492 milionë euro.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, një mbështetës i fortë i Izraelit, urdhëroi kufizime për eksportet e armëve drejt Izraelit në muajin gusht, mes rritjes së presionit publik. Kufizimet ndaluan miratimin e licencave të reja të eksportit për armë që mund të përdoreshin në luftën e Gazës, megjithatë këto kufizime u hoqën këtë javë.

Sipas qeverisë gjermane, armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit ka mbetur në fuqi që nga 10 tetori dhe është stabilizuar javët e fundit. Qeveria theksoi përpjekjet drejt paqes së qëndrueshme dhe rritjes së ndihmave humanitare në Gaza.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.