Politikë, Bota

Aktivisti palestinez padit administratën e Trumpit për shkak të lidhjes së grupeve proizraelite me arrestimin e tij

“Publiku meriton transparencë të plotë për çdo aktor të keq që ndihmoi në realizimin e kësaj”, ka thënë Mahmoud Khalil

Seda Sevencan  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Aktivisti palestinez padit administratën e Trumpit për shkak të lidhjes së grupeve proizraelite me arrestimin e tij

Istanbul

Aktivisti palestinez Mahmoud Khalil, i cili u ndalua nga agjentët e Forcës Ligjzbatuese të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) në mars dhe u mbajt për më shumë se 100 ditë megjithëse ishte banor i përhershëm ligjor, ka paditur administratën e Trumpit për refuzimin e publikimit të dokumenteve të komunikimeve të saj me organizata dhe individë të dyshimtë proizraelitë, raportoi të enjten media Zeteo, transmeton Anadolu.

“Për muaj të tërë, organizata dhe individë të dyshimtë zhvilluan një fushatë shpifjesh dhe ngacmimesh me synimin për të më frikësuar dhe heshtur”, ka thënë Khalil për Zeteo.

“Publiku meriton transparencë të plotë për çdo aktor të keq që ndihmoi në realizimin e kësaj, përfshirë ata në (Universitetin) Columbia, që i fabrikuan dhe përhapën këto shpifje dhe hapën derën për represion shtetëror ndaj fjalës palestineze”, ka shtuar ai.

Khalil, i diplomuar në Universitetin Columbia, është banor i përhershëm ligjor dhe i martuar me një qytetare amerikane. Ai u ndalua në mars pa urdhër nga oficerët e imigracionit në Nju Jork dhe u transferua në një qendër paraburgimi në Luiziana, ku u mbajt për muaj të tërë.

Ai ishte i pari nga disa studentë të huaj të shënjestruar nga administrata e Trumpit për kritikimin e Izraelit dhe shprehjen e mbështetjes për Palestinën.

Në korrik, procedurat gjyqësore zbuluan se ICE ishte mbështetur në informacione nga “Canary Mission” dhe “Betar”, dy grupe proizraelite dhe antipalestineze, të njohura për publikimin dhe përndjekjen e aktivistëve, për të hapur pista hetimi mbi studentët, përfshirë Khalilin.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.