Aksionet e Nike-s bien me 10.5 për qind pas rënies së shitjeve në Kinë
Nike raportoi fitime dhe të ardhura tremujore që tejkaluan pritshmëritë e tregut, megjithatë rënia e shitjeve në Kinë u kompensua nga rritja e të ardhurave në Amerikën e Veriut
Stamboll
Aksionet e Nike-s ranë me 10.5 për qind në tregtinë para-hapjes së sotme, pasi shqetësimet mbi performancën e dobët të kompanisë në Kinë e kaluan përfitimin nga fitimet më të larta se sa pritej në tremujorin e dytë fiskal, transmeton Anadolu.
Dje, Nike raportoi fitime dhe të ardhura tremujore që tejkaluan pritshmëritë e tregut, megjithatë rënia e shitjeve në Kinë u kompensua nga rritja e të ardhurave në Amerikën e Veriut.
Të ardhurat e kompanisë për tremujorin e dytë fiskal u rritën me 1 për qind në bazë të raportuar ndërsa fitimi për aksion ra 32 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 0.53 dollarë për aksion.
Rritje prej 9 për qind regjistroi biznesi në Amerikën e Veriut, me të ardhura prej 5.63 miliardë dollarësh. Megjithatë, shitjet në Kinën e Madhe ranë 17 për qind, duke arritur 1.42 miliardë dollarë.
Derisa shqetësimet për performancën e Nike-s u përhapën tek bizneset në Atlantik, aksionet e gjigantëve gjermanë të veshjeve sportive Adidas dhe Puma shënuan gjithashtu rënie të vogël mëngjesin e sotëm.
Nike parashikon rritje të lehtë të të ardhurave në Amerikën e Veriut dhe rënie me shifra të ulëta për tremujorin e tretë fiskal. Për më tepër, kompania parashikon një ulje prej 1.75 deri 2.25 pikë përqindjeje në marzhet bruto, përfshirë një ndikim prej 3.15 pikë përqindjeje nga tarifat.
Gjatë tremujorit, të ardhurat me shumicë u rritën 8 për qind duke arritur në 7.5 miliardë dollarë ndërsa shitjet direkte ranë 8 për qind duke arritur në 4.6 miliardë dollarë.
Tarifat kanë ndikuar në performancën e Nike-s. Dje, kompania tha se rritja e tarifave ishte shkaku kryesor i rënies prej 3 për qind të inventarit dhe uljes prej 3 pikë përqindjeje të marzhit bruto.
Aksionet e Nike-s tashmë kishin rënë mbi 13 për qind që nga fillimi i vitit deri në mbylljen e djeshme.
