Bota

Ahmedi nga Gaza, i cili u sulmua nga Izraeli ndërsa luante futboll, dëshiron që t'i kthehet dora e tij

Ahmed Falih Warsh Agha, 14-vjeç, i cili jeton me familjen e tij në një tendë në Beit Lahiya, u shënjestrua në një sulm ajror në shkollën Dar al-Arqam në qytetin e Gazës, ku ishin strehuar pas urdhrave izraelitë për evakuim

Gülşen Topçu, Ahmed Jihad Ibrahim Al-arini  | 16.06.2025 - Përdıtësım : 17.06.2025
Ahmedi nga Gaza, i cili u sulmua nga Izraeli ndërsa luante futboll, dëshiron që t'i kthehet dora e tij Foto: Ahmed Jihad Ibrahim Al-arini/AA

Gaza

Ahmed Falih Warsh Agha, i cili u plagos rëndë dhe humbi krahun e djathtë në sulmin e ushtrisë izraelite në shkollën Dar al-Arkam në qytetin e Gazës, dëshiron të rifitojë dorën e tij dhe të jetë në gjendje të luajë futboll përsëri, raporton Anadolu.

Ahmedi, 14-vjeç, i cili jeton me familjen e tij në një tendë në Beit Lahiya, u shënjestrua në një sulm ajror në shkollën Dar al-Arqam në qytetin e Gazës, ku ishin strehuar pas urdhrave izraelitë për evakuim.

Tridhjetë e një persona, kryesisht fëmijë, u vranë në sulmin e ushtrisë izraelite ndaj shkollës më 3 prill. Ahmedi u plagos rëndë nga sulmi ndërsa po luante futboll me shokët e tij në oborrin e shkollës. Një copë shrapneli hyri nëpër krahun e djathtë të Ahmedit, pastaj i goditi barkun dhe i çau zorrët.

Ahmedi, i cili vuan nga kequshqyerja për shkak të keqthithjes në zorrët e tij pas operacionit, nuk mund të hajë mjaftueshëm për shkak të embargos së vendosur nga Izraeli në Gaza dhe po humbet peshë çdo ditë.

- Mendohej se kishte vdekur kur e çuan në spital

Nëna e Ahmedit, Sevsen Warsh Agha, për Anadolu tregoi përjetimet pas sulmit dhe çfarë ndryshoi në jetën e djalit të saj, duke theksuar se pasi u plagos rëndë në sulm u dërgua në Spitalin Baptist El-Ehli.

"Gjendja e djalit tim ishte shumë kritike. Ai u transferua në Spitalin Baptist El-Ehli duke na thënë se kishte vdekur. Kur mjekët e panë, thanë 'ai do të vdesë gjithsesi brenda pak minutash' dhe e morën mënjanë dhe filluan të kujdeseshin për të plagosurit e tjerë. Kur djali im thirri mjekun, mjeku e kuptoi se ai nuk kishte humbur vetëdijen", tha ajo.

Nëna nga Gaza, e cila tha se krahu i djathtë i Ahmedit ishte amputuar pasi një copë shrapneli e kishte shpuar atë, tha se e njëjta copë shrapneli ishte ngulur në barkun e djalit të saj dhe i kishte çarë zorrët.

Sevsen tha se operacioni i djalit të saj zgjati 8 orë dhe ai qëndroi në spital për 10 ditë.

- Ai ishte përsëri shënjestër e një sulmi izraelit në spitalin ku po merrte trajtim.

Ahmedi nga Gaza ishte shënjestër e një sulmi ajror izraelit për herë të dytë në Spitalin Baptist Al-Ahli, ku po merrte trajtim pas operacionit.

Ai u transferua në Spitalin e Gjysmëhënës së Kuqe të Kuvajtit pas sulmit ndaj spitalit në mesnatë dhe u prek nga inflamacioni në bark për shkak të kimikateve toksike të gjetura në shrapnel.

Ahmedi, shkalla e infeksionit të gjakut të të cilit ishte rritur ndjeshëm, duhej të dilte nga spitali, edhe pse nuk ishte shëruar plotësisht, në mënyrë që të lirohej vend për pacientët e plagosur rëndë, duke marrë parasysh numrin e të plagosurve që silleshin në spital çdo ditë.

Duke iu referuar bllokadës në Gaza dhe gjendjes shëndetësore të Ahmedit, nëna tha: "Niveli i përthithjes në zorrët e tij nuk është si i një personi normal. Ai aktualisht ka një qese kolostomie në bark. Gjithashtu nuk ka ushqim të mirëfilltë në Gaza. Nuk ka fare bukë".

- Dua të kem një dorë si më parë

Ahmed Falih Warsh Agha, 14-vjeçari nga Gaza, tha se pas gjithë dhimbjes që u detyrua të kalonte, dëshira e tij e vetme ishte të merrte trajtim.

Ai theksoi se i mungonte jeta e tij para sulmeve izraelite. "Jeta ime para luftës ishte shumë e mirë. Shkoja në shkollë, pastaj luaja lojëra. Shkoja në xhami dhe lexoja Kuran. Dua të kem duar siç kisha dikur", tha Ahmed.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın