Agjencitë e inteligjencës: Hakerët rusë synojnë llogaritë WhatsApp dhe Signal të zyrtarëve holandezë
Agjencitë paralajmërojnë se të dy aplikacionet nuk janë të përshtatshme për ndarjen e informacionit të ndjeshëm ose konfidencial, pavarësisht enkriptimit të tyre
BRUKSEL (AA) - Hakerët rusë të lidhur me shtetin ka të ngjarë të kenë marrë informacione të ndjeshme duke kompromentuar llogaritë WhatsApp dhe Signal të punonjësve të qeverisë holandeze, raportoi sot transmetuesi holandez NOS, duke cituar shërbimet e inteligjencës së Holandës, transmeton Anadolu.
Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë Ushtarake (MIVD) dhe Shërbimi i Përgjithshëm i Inteligjencës dhe Sigurisë (AIVD) thanë se zyrtarë të lartë, personel ushtarak dhe nëpunës civilë janë shënjestruar në sulmet kibernetike.
Gazetarët gjithashtu besohet të jenë midis objektivave të mundshëm. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës tha se është e paqartë se çfarë informacioni specifik kërkonin aktorët rusë.
Sipas raportit të MIVD-së për vitin 2024, Holanda është objektiv tërheqës për Rusinë për shkak të rolit të vendit në mbështetjen e Ukrainës si dhe pranisë së kompanive të mëdha të teknologjisë dhe institucioneve ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Raporti i AIVD-së për vitin 2024 vuri në dukje se Holanda funksionon si qendër e madhe për rrjetet e të dhënave dhe transportit, gjë që mund ta bëjë atë objektiv strategjik për operacionet e inteligjencës ruse. Agjencitë e inteligjencës thanë se hakerët kryesisht përpiqen të marrin kredencialet e hyrjes së përdoruesve duke u shtirur si një chatbot nga shërbimi i mesazheve Signal.
Sapo sulmuesit të fitojnë akses, ata mund të marrin kontrollin e llogarisë dhe të monitorojnë bisedat në grupet e bisedave pa e vënë re përdoruesi. Sipas agjencive, aktorët rusë janë veçanërisht të interesuar në bisedat Signal sepse platforma e mesazheve ka reputacion për besueshmërinë dhe ofron komunikime të koduara, duke e bërë atë të përdorur gjerësisht brenda institucioneve qeveritare.
MIVD paralajmëroi se Signal dhe WhatsApp nuk janë kanale të përshtatshme për dërgimin e informacionit të ndjeshëm ose konfidencial, edhe pse bisedat janë të koduara.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
