Bota

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA lançon vizionin e ri më 20 gusht

Agjencia do të zbulojë identitetin e saj të ri nën sloganin "SANA: Një pikë kthese" në një ceremoni të mërkurën në Qendrën Kombëtare për Artet Pamore në Damask

Muhammed Karabacak  | 18.08.2025 - Përdıtësım : 19.08.2025
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA lançon vizionin e ri më 20 gusht Foto: Izz Aldien Alqasem / AA

Damask

MUHAMMED KARABACAK

Agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë, SANA, do të rihapet me një strukturë dhe vizion të ri editorial më 20 gusht, pas një riorganizimi që filloi pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit të kaluar, raporton Anadolu.

SANA po i nënshtrohet ristrukturimit si pjesë e modernizimit të infrastrukturës së transmetimit dhe strategjisë së transformimit dixhital.

Një ekip i AA-së kapi pamje me dron të ndërtesës dhe qendrës së lajmeve SANA, ku janë duke u zhvilluar rinovimet.


- "Kemi krijuar një departament të ri dixhital"

Drejtori i përgjithshëm i SANA-s, Ziyad Mehamid tha për gazetarin e AA-së se lançimi do të mbahet më 20 gusht me temën "SANA: Një pikë kthese". Ai tha se kanë rinovuar plotësisht infrastrukturën dhe pajisjet e institucionit në përputhje me praktikat moderne të transmetimit. "Kemi krijuar një departament të ri dixhital. Gjithashtu kemi krijuar njësi raportimi që do të operojnë si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij", theksoi Mehamid.

Ai shpjegoi se pas lançimit, zyrat në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi do të fillojnë transmetimin në shumë gjuhë. "Ne i çmontuam plotësisht pajisjet e vjetra dhe e rinovuam të gjithë sistemin tonë. Gjithashtu riorganizuam ndërtesën tonë për të pasqyruar identitetin e ri vizual. Kemi punësuar stafin më të mirë", tha Mehamid.

Pasi deklaroi se planifikojnë të transmetojnë në pesë gjuhë, Mehamid shtoi se do të nisin transmetime në gjuhën kurde, përveç anglishtes, frëngjishtes, spanjishtes dhe turqishtes. Ai potencoi se synojnë ta bëjnë SANA-n konkurruese me agjencitë rajonale dhe globale brenda 5 viteve të ardhshme. "Zyra e sapokrijuar e përkthimit jo vetëm që do të merret me përkthimin, por do të prodhojë edhe përmbajtje ekskluzive lajmesh në çdo gjuhë", tha ai.

Më tej Mehamid shpjegoi se arkivat e agjencisë, të cilat janë mbajtur që nga viti 1965 pas rënies së regjimit Baath, janë dixhitalizuar. "Ne i kemi siguruar këto arkiva për arsye sigurie. Ne planifikojmë t'ua ofrojmë ato abonentëve tanë si një burim gjenerues të ardhurash për agjencinë në të ardhmen", tha drejtori i përgjithshëm i SANA-s.

Lançimi i cili do të prezantojë imazhin e ri të SANA-s, do të mbahet më 20 gusht në Qendrën Kombëtare për Artet Pamore në Damask.

Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë mysafirë nga Turqia dhe jashtë vendit, përfshirë anëtarë të kabinetit të qeverisë siriane, ambasadorë dhe të ngarkuar të shumtë me punë si dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i Agjencisë Anadolu (AA), Yusuf Özhan.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın