Bota

Afrika e Jugut shpall "persona non grata" të Ngarkuarin me Punë të Izraelit

"Kjo masë vendimtare vjen pas një sërë shkeljesh të papranueshme të normave dhe praktikave diplomatike që sfidojnë drejtpërdrejt sovranitetin e Afrikës së Jugut", tha ministria

Murat Özgür Güvendik  | 30.01.2026 - Përdıtësım : 30.01.2026
Afrika e Jugut shpall "persona non grata" të Ngarkuarin me Punë të Izraelit

Cape Town

Afrika e Jugut e ka shpallur "person non grata" të Ngarkuarin me Punë të Izraelit në vend, Ariel Seidman, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit thuhet se vendimi për ta shpallur Seidmanin "person non grata" i ishte komunikuar qeverisë izraelite. "Kjo masë vendimtare vjen pas një sërë shkeljesh të papranueshme të normave dhe praktikave diplomatike që sfidojnë drejtpërdrejt sovranitetin e Afrikës së Jugut", tha ministria.

Më tej thuhet se këto shkelje përfshinin përdorimin e përsëritur të platformave zyrtare të mediave sociale të Izraelit për të nisur sulme fyese kundër presidentit Cyril Ramaphosa dhe mosinformimin e qeverisë për vizitat e zyrtarëve të lartë izraelitë në vend.

Theksohet se veprime të tilla përbëjnë abuzim të rëndë të privilegjit diplomatik dhe shkelje themelore të Konventës së Vjenës, duke minuar sistematikisht protokollet.

"Sovraniteti i Afrikës së Jugut dhe dinjiteti i zyrave të saj janë të paprekshme. Z. Seidman duhet të largohet nga Republika e Afrikës së Jugut brenda 72 orëve", tha ministria.

Deklarata i bëri thirrje qeverisë izraelite të sigurojë që sjellja e saj diplomatike në të ardhmen të respektojë Afrikën e Jugut dhe parimet e vendosura në marrëdhëniet ndërkombëtare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın