Afganistan, rritet në 1.124 numri i të vdekurve nga tërmeti
Numri i viktimave si pasojë e tërmetit shkatërrues është rritur në të paktën 1.124 ndërsa numri i të plagosurve në 3.251

Islamabad
Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues që goditi Afganistanin lindor të dielën në mbrëmje u rrit në 1.124, tha të martën Gjysmëhëna e Kuqe Afgane, raporton Anadolu.
Të paktën 3.251 persona janë plagosur ndërsa tërmeti ka shkatërruar mbi 8.000 shtëpi, tha grupi humanitar përmes kompanisë amerikane të mediave sociale X.
Është tërmeti i tretë i madh që ka goditur vendin e shkatërruar nga lufta që nga kthimi i talebanëve afganë në pushtet në gusht 2021.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) regjistroi tërmetin në orën 23:47 sipas kohës lokale, në pozicionin 27 kilometra (16,7 milje) në lindje-verilindje të Jalalabadit në një thellësi prej 8 kilometrash (5 milje) të dielën në mbrëmje, kur shumica e banorëve ishin në gjumë.
Kunar është provinca më e goditur, ku tërmeti shkatërrues ka shkatërruar disa fshatra.
Zëdhënësi i administratës së përkohshme afgane në provincën Kunar, Abdul Ghani tha për Anadolu se ekipet e shpëtimit dhe ndihmës kanë mbërritur tashmë në zonat e prekura dhe operacioni ka vazhduar që nga e hëna.
"Numri i të vdekurve mund të rritet pasi shumë njerëz janë ende nën rrënoja" tha ai. Sipas tij, dhjetëra shtëpi u shkatërruan në rajonet Nur Gal, Sawki, Watpur, Manogi dhe në Chapa Dara.
Administrata e përkohshme afgane dërgoi ndihma dhe ekipe mjekësore në zonë të hënën, informoi Ghani fuke thënë se më shumë ndihma nga Kabuli janë rrugës.
Disa vende, përfshirë Pakistanin fqinj, Iranin, Kinën dhe Indinë si dhe vendet perëndimore, janë zotuar të dërgojnë ndihmë në Afganistan.
Numri i të vdekurve në tërmetin e Afganistanit është rritur në 1.124, tha të martën Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Afgane, një grup humanitar që punon në rajon.