Aeroporti Mitiga në Tripoli pezullon fluturimet shkaku i kërcënimeve
Milicitë e gjeneralit rebel Khalifa Haftar shpallën kryeqytetin Tripoli dhe zonën përreth tij "zonë të ndaluar për fluturime", duke kërcënuar se do të godasin çdo avion

Tripoli
Aeroporti Ndërkombëtar Mitiga në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, ka pezulluar fluturimet pasi dje milicitë e gjeneralit rebel Khalifa Haftar shpallën Tripolin dhe zonën përreth tij "zonë të ndaluar për fluturime" si dhe kanë kërcënuar se do të godasin avionët civilë që fluturojnë në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Administrata e aeroportit njoftoi në rrjetet sociale se fluturimet janë pezulluar deri në njoftimin e radhës dhe janë drejtuar në Aeroportin Misrata.
Ahmed Al-Mismari, zëdhënësi i forcave të Haftarit, në rrjetet sociale tha se kanë shpallur zënë të ndaluar hapësirën nga Giryan, 120 kilometra në jug të kryeqytetit, deri në qytetin Terhune, 90 kilometra në juglindje si dhe hapësirën deri në plazhin e Tripolit, përfshirë Aeroportin Mitiga.
Ai tha se të gjitha avionët në zonë do të ishin objektive "legjitime".
Më herët gjatë ditës së djeshme, milicitë e gjeneralit rebel Khalifa Haftar bombarduan Aeroportin Ndërkombëtar Mitiga.
Më 12 janar, palët e konfliktit në Libi njoftuan një armëpushim në përgjigje të një thirrjeje të përbashkët të liderëve të Turqisë dhe Rusisë. Por, bisedimet për armëpushim të përhershëm në Moskë javën e kaluar përfunduan pa rezultat pasi Haftar u largua nga kryeqyteti rus pa e nënshkruar marrëveshjen.
Të dielën, gjatë konferencës ndërkombëtare për Libinë në Berlin, Haftar pranoi të caktojë anëtarët në një Komision ushtarak të propozuar nga OKB-ja me pesë anëtarë nga secila palë për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.
Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, njëra në lindje të Libisë e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërsa tjetra GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.
Sulmi ushtarak i Haftarit ndaj GNA-së ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.000 personave që nga prilli i vitit të kaluar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.