Aeroplanmbajtësja e re kineze "Fujian" kryen stërvitjen e parë detare
Anija "Fujian" e cila u prezantua për herë të parë në qershor 2022, është anija më e madhe e marinës kineze dhe aeroplanmbajtësja e tretë e Kinës pas anijeve "Liaoning" dhe "Shandong"
Istanbul
Aeroplanmbajtësja kineze "Fujian" kreu stërvitjen e saj të parë detare pasi u vu në punë më 5 nëntor, raportoi sot "China Military Online", transmeton Anadolu.
Një grup sulmues kinez i aeroplanmbajtëseve që përbëhej nga anije të ndryshme, përfshirë aeroplanmbajtësen "Fujian", shkatërruesin me raketa të drejtuara Yan'an dhe fregatën me raketa të drejtuara Tongliao, u kthye së fundmi në një port ushtarak në qytetin Sanya, në provincën Hainan të Kinës jugore, pas përfundimit të ushtrimeve stërvitore detare.
Gjatë stërvitjeve, lloje të ndryshme avionësh me bazë në aeroplanmbajtëse përfunduan misione të shumta ngritjeje dhe uljeje me ndihmën e katapultës elektromagnetike për të testuar sistemet e katapultës elektromagnetike dhe të ndalimit të "Fujian" me lloje të shumta avionësh.
Anijet kryen ushtrime për detyra të shumta, të tilla si navigimi i formacionit dhe operacionet e përbashkëta të kërkim-shpëtimit anije-aeroplan.
Aeroplanmbajtësja e parë e Pekinit e pajisur me katapultë elektromagnetike "Fujian" është e aftë të presë ngritje dhe ulje me ndihmën e katapultës për avionin luftarak të rëndë J-15T, avionin luftarak të fshehtë J-35 dhe avionin e paralajmërimit të hershëm KJ-600, sipas mediave lokale.
Anija "Fujian" e cila u prezantua për herë të parë në qershor 2022, është anija më e madhe e marinës kineze dhe aeroplanmbajtësja e tretë e Kinës pas anijeve "Liaoning" dhe "Shandong".
