Adoleshenti amerikan Mohammed Ibrahim lirohet pas 9 muajsh në burgun izraelit
“Qeveria e SHBA-së ka përgjegjësinë të hetojë abuzimin e Izraelit ndaj një qytetari amerikan dhe të sigurojë që asnjë fëmijë tjetër — amerikan apo palestinez — të mos i nënshtrohet të njëjtit trajtim”, tha grupi amerikano-islam CAIR
Hamilton
Adoleshenti amerikan Mohammed Ibrahim është liruar pas nëntë muajsh që nga ndalimi i tij nga forcat izraelite gjatë një bastisjeje natën në Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas deklaratave të publikuara sot nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), transmeton Anadolu.
Ibrahim, 16 vjeç, u arrestua më 16 shkurt kur forcat izraelite thuhet se hynë në shtëpinë e familjes së tij në al-Mazra’a ash-Sharqiya në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Familja e tij tha se Ibrahim iu nënshtrua rrahjeve, urisë dhe keqtrajtimeve të tjera gjatë kohës që u mbajt në një burg ushtarak izraelit.
“Mohammedi duhet ta kishte kaluar këtë vit duke studiuar për patentën dhe duke shijuar kohën me familjen e tij — jo i mbyllur në një burg ushtarak, i rrahur, i uritur dhe i tmerruar. Lirimi i tij është arsye për festë, por duhet të jetë edhe një pikë kthese. SHBA-ja nuk mund të vazhdojë të ofrojë mbështetje të pakushtëzuar për një qeveri që torturon fëmijë amerikanë”, tha CAIR Florida në rrjetin social amerikan X.
Ndërsa CAIR National mirëpriti lirimin e tij, ata theksuan rëndësinë e marrjes së masave për të parandaluar trajtime të tilla ndaj një të mituri.
“Kthimi i Mohammedit në shtëpi është një bekim, por nuk e fshin torturën dhe vuajtjet që ai ka përjetuar”, tha organizata, duke shtuar: “Qeveria e SHBA-së ka përgjegjësinë të hetojë abuzimin e Izraelit ndaj një qytetari amerikan dhe të sigurojë që asnjë fëmijë tjetër — amerikan apo palestinez — të mos i nënshtrohet të njëjtit trajtim”.
Xhaxhai i tij, Zeyad Kadur, në një deklaratë, tha se familja është e lehtësuar pas muajsh frike.
“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë lehtësimin e madh që ndiejmë si familje tani, duke e parë Mohammedin në krahët e prindërve të tij”, tha ai, duke shtuar se ata po përqendrohen në sigurimin e kujdesit mjekësor pas “abuzimit dhe kushteve çnjerëzore të Izraelit për muaj të tërë”.
Duke i bërë thirrje “qeverisë amerikane të mbrojë familjet tona”, Kadur tha: “Mohammedi u detyrua ta kalonte ditëlindjen e tij të 16-të i burgosur padrejtësisht nga Izraeli, i ndarë nga njerëzit që e duan. Tani që Mohammedi është me familjen e tij, më në fund mund t’ia urojmë ditëlindjen”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
