Bota

Abbas gjatë vizitës në Berlin apelon për njohjen e shtetit palestinez

Kancelari gjerman, nga ana e tij, shprehu mbështetjen e qeverisë së tij për një zgjidhje të negociuar me dy shtete dhe gjithashtu kritikoi zgjerimin e vendbanimeve të Izraelit, gjë që shkaktoi më shumë tensione në rajon

Ayhan Şimşek  | 16.08.2022 - Përdıtësım : 18.08.2022
Abbas gjatë vizitës në Berlin apelon për njohjen e shtetit palestinez Foto: Ömer Sercan Karkuş/AA

Berlin

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, gjatë një vizite në Berlin ku u takua me kancelarin Olaf Scholz, i ka bërë thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane që të njohin shtetësinë e Palestinës dhe të mbështesin përpjekjet e këtij shteti për një zgjidhje të konfliktit në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media me kancelarin Scholz, presidenti Abbas theksoi se “njohja e shtetësisë së Palestinës do të ndihmojë dhe do të mbështesë gjetjen e zgjidhjes”.

“Gjithçka që duam është liria dhe stabiliteti në një shtet sovran dhe demokratik, ku të gjithë qytetarët do të gëzojnë të drejta të barabarta”, theksoi Abbas.

Presidenti palestinez kritikoi qeverinë izraelite për minimin e përpjekjeve për paqe dhe akuzoi Izraelin për akte aparteidi kundër popullit palestinez.

“Palestina është nën pushtim për dekada. Kjo duhet të marrë fundit”, tha ai.

Abbas tha se nëse shtetësia palestineze njihet nga më shumë vende dhe Palestina fiton anëtarësimin e plotë në Kombet e Bashkuara (OKB), atëherë kjo do t’i hapë rrugë një vrulli të ri dhe do të lehtësonte zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Kancelari gjerman, nga ana e tij, shprehu mbështetjen e qeverisë së tij për një zgjidhje të negociuar me dy shtete dhe gjithashtu kritikoi zgjerimin e vendbanimeve të Izraelit, gjë që shkaktoi më shumë tensione në rajon.

Por Scholz po ashtu theksoi se ata kanë dallime me presidentin Abbas për disa çështje, përfshirë përshkrimin e Izraelit si një shtet aparteidi.

“Nuk mendoj se e përshkruan në mënyrë korrekte situatën”, tha ai.

Scholz tha se qeveria e tij do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për një zgjidhje politike të konfliktit të Lindjes së Mesme, por tha se nuk do të mbështesë “nismat e njëanshme të cilat mund të minojnë këto përpjekje”.

“Palestina ka një status të vëzhguesit në OKB. Nuk mendoj se tani është momenti i duhur për ta ndryshuar atë”, u shpreh kancelari gjerman.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.