Bota

9 anije ndihmash vazhdojnë të lundrojnë drejt Gazës për të sfiduar bllokadën izraelite

Rreth 100 persona janë në bordin e grupit prej 9 anijesh, që është pjesë e misionit “Një mijë Madlene” në enklavën palestineze të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC)

Rania R.a. Abushamala  | 07.10.2025 - Përdıtësım : 07.10.2025
9 anije ndihmash vazhdojnë të lundrojnë drejt Gazës për të sfiduar bllokadën izraelite Foto: AA/Arkiv

Stamboll

Një grup anijesh me ndihma vazhdon t’i afrohet Rripit të Gazës në një përpjekje të re për të sfiduar bllokadën e paligjshme të Izraelit ndaj enklavës palestineze, transmeton Anadolu.

Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës në rrjetet sociale tha se po i “afrohen” Rripit të Gazës.

Rreth 100 persona janë në bordin e grupit prej 9 anijesh, që është pjesë e misionit “Një mijë Madlene” në enklavën palestineze të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC).

FFC-ja, e themeluar në vitin 2008, nisi dhjetëra misione që synonin shpërndarjen e ndihmës dhe tërheqjen e vëmendjes globale ndaj krizës humanitare në Rripin e Gazës së rrethuar nga Izraelit.

Grupi i ri i anijeve vjen pasi forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan më shumë se 40 anije që lundronin drejt Gazës javën e kaluar për të sfiduar bllokadën izraelite dhe arrestuan më shumë se 450 aktivistë në bord.

Izraeli, si fuqi pushtuese, më parë ka sulmuar anijet që udhëtonin për në Gaza, ka sekuestruar ngarkesën e tyre dhe ka deportuar aktivistët në bord.

Izraeli ka mbajtur nën bllokadë Gazën për gati 18 vjet, ku jetojnë gati 2.4 milionë banorë, si dhe e ka shtrënguar më tej rrethimin në muajin mars kur mbylli pikat kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e çuar enklavën drejt urisë.

Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. OKB-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut vazhdimisht kanë paralajmëruar se enklava po bëhet e pabanueshme, me urinë dhe sëmundjet që po përhapen me shpejtësi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.