84 vjet histori nën ujë: "Thistlegorm", muze i gjallë i Luftës së Dytë Botërore dhe atraksion për zhytësit
Mbetjet nënujore të anijes britanike të ngarkesave “Thistlegorm” të fundosur gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë ndër atraksionet kryesore të turizmit të zhytjes në Detin e Kuq

Ankara
Mbetjet nënujore të anijes britanike të ngarkesave “Thistlegorm”, e cila lundroi për të transportuar municione ushtarake nga Anglia në Egjipt gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u fundos nga avionët gjermanë në vitin 1941, ofrojnë një mundësi të veçantë për të dëshmuar një histori 84-vjeçare.
Mbyllur brenda saj shumë objekte që hedhin dritë mbi gjurmët e luftës, anija e fundosur Thistlegorm nuk është vetëm një pikë zhytjeje, por edhe një muze nënujor ku historia ndërthuret me botën e detit me një të kaluar 84-vjeçare.
Anija e fundosur, rreth 40 kilometra në perëndim të qytetit Sharm El-Sheikh në Egjipt, është ndër atraksionet kryesore të turizmit të zhytjes në Detin e Kuq. Si një nga anijet e fundosura më të famshme në botë, ajo vizitohet çdo ditë nga mesatarisht 150 deri në 200 zhytës.
Pamjet e kapura nga kamerat e Anadolus hapin një derë drejt botës së fshehur të Thistlegorm-it.
Mjetet e blinduara, torpedot, xhipat, pushkët, motorët BSA dhe Norton të përshtatur për kushtet e shkretëtirës dhe vagonë, të varrosur në ujërat e Detit të Kuq, hedhin dritë mbi të kaluarën, duke u shndërruar njëkohësisht edhe në strehë për shumë krijesa të gjalla.
Kafshët shumëngjyrëshe që kanë bërë shtëpi çdo cep të mbetjeve, nga kundërajrorët deri te motorët, u japin jetë mbetjeve të anijes.
Peshqit portokalli, të verdhë, rozë dhe ngjyrash të tjera që lëvizin në harmoni dhe në tufa, së bashku me koralet shumëngjyrëshe, shfaqin ekosistemin e pasur të Detit të Kuq.
Këtu është e mundur të shihen edhe “banorë të rregullt” të anijes së fundosur, si peshqit krokodil, peshqit papagall, skalari dhe breshkat “caretta caretta”.
Në luftë me kohën
Anija e ngarkesave Thistlegorm, me 49 anëtarë ekuipazhi, nëntë prej të cilëve oficerë të lartë britanikë, u nis më 2 qershor 1941 nga Glasgou drejt Aleksandrisë për udhëtimin e saj të fundit.
Duke transportuar automjete, kamionë, biçikleta, pjesë avionësh, vagona hekurudhorë dhe një lokomotivë për aleatët, anija u fundos gjatë udhëtimit të saj të katërt e të fundit.
Ndërsa priste e ankoruar për të hyrë në Kanalin e Suezit, Thistlegorm u sulmua mëngjesin e 6 tetorit nga avionë gjermanë të ngritur nga Kreta dhe u zhyt në ujë.
Bombardimi shkaktoi zjarr të shpejtë që solli shpërthimin e municioneve në hambar. Si pasojë e shpërthimit, Thistlegorm u nda më dysh dhe u fundos në më pak se një minutë.
Pesë anëtarë të marinës mbretërore dhe katër detarë humbën jetën në sulm, ndërsa pjesa tjetër e ekuipazhit arriti të shpëtonte para shpërthimit.
Shpërthimi që e fundosi Thistlegormin hodhi në erë pjesën më të madhe të mesit të anijes, duke e bërë rrënojën më të qasshme. Ajo ndodhet në një thellësi prej 32 metrash, duke ofruar kushte të përshtatshme për zhytje.
Me gjatësi 130 metra dhe gjerësi 18 metra, anija u zbulua në fillim të viteve 1950 nga eksploruesi i famshëm francez i deteve, Jacques-Yves Cousteau.
Pas vizitës nga Cousteau, anija u harrua pothuajse krejtësisht, përveçse nga peshkatarët vendas, derisa në fillim të viteve 1990 u shndërrua në një nga pikat më të kërkuara të zhytjes në Sharm el-Sheikh.
Megjithatë, Thistlegorm, që tërheq interes të madh, po përballet me vështirësi që të rezistojë ndaj kohës. Rritja e numrit të zhytësve dhe anijeve që e vizitojnë thuhet se po dëmton mbetjet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.