52 milionë afrikanë përballen me urinë
Në raportin e publikuar nga organizata ndërkombëtare Oxfam thuhet se miliona persona në kontinentin afrikan aktualisht kanë nevojë për ndihmë

Stamboll
Pesëdhjetë e dy milionë njerëz në 18 shtete të Afrikës përballen me krizën e urisë si pasojë e ndryshimeve klimatike, varfërisë dhe konflikteve të armatosura, tregoi një raport në Britani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e publikuar nga organizata ndërkombëtare Oxfam thuhet se miliona persona në kontinentin afrikan aktualisht kanë nevojë për ndihmë për shkak të thatësirave ose, nga ana tjetër, përmbytjeve nga reshjet intensive.
Zimbabve ka qenë vendi me sasinë më të vogël të reshjeve nga viti 1981, kurse Kenia, Etiopia dhe Somalia janë goditur nga thatësira, thuhet në raport, sipas të cilit, rreth 900 mijë persona janë dëmtuar nga katastrofa e përmbytjeve në Sudanin e Jugut.
Raporti thekson se 18 vendet e hulumtuara në Afrikë kanë humbur 700 milionë dollarë në vit si pasojë e fatkeqësive klimatike.
Në raport janë analizuar Angola, Botsvana, Republika Demokratike e Kongos, Esvatini, Etiopia, Kenia, Lesoto, Madagaskari, Malavi, Mozambiku, Namibia, Somalia, Afrika e Jugut, Sudani i Jugut, Sudani, Tanzania, Zambia dhe Zimbabve.
Sipas tij, ndryshimet sezonale të shkaktuara nga kriza klimatike ka bërë që miliona njerëz të braktisin shtëpitë e tyre.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.