Bota

32 vjet nga "Janari i Përgjakur", pika e kthesës në rrugën e Azerbajxhanit drejt pavarësisë

Dhimbja e masakrës, e cila hyri në histori si “Janari i Përgjakur”, është ende e freskët në zemrat e të gjithë azerbajxhanasve sot, 32 vjet më vonë

Ruslan Rehimov  | 20.01.2022 - Përdıtësım : 21.01.2022
32 vjet nga "Janari i Përgjakur", pika e kthesës në rrugën e Azerbajxhanit drejt pavarësisë

Baku

RUSLAN REHIMOV

Sot në mbarë Azerbajxhanin u shënua 32-​​vjetori i masakrës së njohur si “Janari i Përgjakur”. Qytetarët e Azerbajxhanit kujtojnë sot bashkëqytetarët e tyre, viktima të masakrës së ushtrisë sovjetike në Baku dhe qytete të tjera, duke përfshirë një numër të madh grash dhe fëmijësh, raporton Agjencia Anatolia (AA).

Dhimbja e masakrës, e cila hyri në histori si “Janari i Përgjakur”, është ende e freskët në zemrat e të gjithë azerbajxhanasve sot, 32 vjet më vonë.

Ngjarjet e përgjakshme të janarit 1990, të cilat azerbajxhanasit i kujtojnë gjithashtu si një epope heroike, konsiderohen po ashtu si një pikë kthese e rëndësishme në fitimin e pavarësisë pas 70 vjetësh robëri sovjetike.

Ngjarjet e përgjakshme të janarit përshpejtuan rënien e Bashkimit Sovjetik, duke nxitur një ndjenjë pavarësie në mesin e azerbajxhanasve. Në themel të këtyre ngjarjeve ishte konflikti i Nagorno-Karabakut.

Në fund të viteve 1980, armenët intensifikuan përpjekjet e tyre për të ndarë Nagorno-Karabakun nga Azerbajxhani dhe në dhjetor 1989, Këshilli Suprem i Republikës Sovjetike Armene vendosi të ribashkonte Nagorno-Karabakun me Armeninë.

Azerbajxhanasit reaguan ndaj këtij vendimi dhe në Baku u mbajt një demonstratë ku morën pjesë qindra mijëra njerëz. Qytetarët marshuan në Sheshin e Lirisë në Baku për të treguar pakënaqësinë me pretendimet territoriale në rritje të armenëve dhe autoriteteve sovjetike.

Protestat e vazhdueshme tronditën qeverinë e atëhershme sovjetike dhe u vendos që të dërgoheshin trupa në Baku. Ndërkohë, njerëzit bllokuan hyrjet në qytet dhe lëvizjen e reparteve ushtarake në Baku.

Së pari, më 19 janar 1990, shërbimi i inteligjencës sovjetike shpërtheu furnizuesin e energjisë elektrike të televizionit azerbajxhanas. Në mbrëmje, rreth 26.000 trupa sovjetike, të shoqëruar nga automjete të blinduara nga pesë drejtime, hynë në Baku.

Ushtria sovjetike arriti në qytet, duke qëlluar mbi civilët e paarmatosur që u përpoqën ta bllokonin atë. Tanke dhe mjete të blinduara të rënda u drejtuan kundër njerëzve dhe u qëllua mbi autoambulancat. Atë natë në Baku u vranë 130 civilë.

Ushtria sovjetike vazhdoi masakrën në provinca të tjera, si Neftchala dhe Lankaran, dhe gjithsej 147 civilë Azerbajxhanas u vranë në masakrën e 20 janarit. 744 persona u plagosën në këto ngjarje, rreth 400 njerëz u kapën nga ushtria sovjetike.

Pavarësisht shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga administrata sovjetike në Baku dhe kontrollit të plotë të qytetit nga ushtria, njerëzit dolën përsëri në rrugë dhe filluan të dërgonin dhe varrosnin dëshmorët. Rreth një milion njerëz morën pjesë në varrimin e dëshmorëve.

“Janari i Përgjakur” tronditi plotësisht besimin e azerbajxhanasve në administratën sovjetike, me çka filloi procesi që çoi në pavarësinë e vendit.

Çdo 20 janar, tashmë 32 vite, azerbajxhanët mblidhen në Varrezat e Dëshmorëve me karafila në dorë, që janë kthyer në simbol të 20 janarit, dhe shprehin mirënjohjen e tyre për ata që ndezën zjarrin e pavarësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın