Bota

170 artistë belgë denoncojnë vendimin e transmetuesit për t'u bashkuar me Eurovizonin 2026 krahas Izraelit

Sipas letrës, figurat kulturore thanë se pjesëmarrja e Izraelit në Eurovizion përbën "shkelje serioze të detyrimeve etike dhe morale të kanaleve publike"

Beyza Binnur Dönmez  | 18.12.2025 - Përdıtësım : 18.12.2025
170 artistë belgë denoncojnë vendimin e transmetuesit për t'u bashkuar me Eurovizonin 2026 krahas Izraelit

Gjenevë

Një kolektiv prej 170 artistësh dhe figurash kulturore belge ka denoncuar vendimin e transmetuesit publik RTBF për të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës Eurovizion 2026, edhe pse Izraeli pritet gjithashtu të konkurrojë, pavarësisht "luftës së tij shfarosëse" në Gaza, transmeton Anadolu.

Në një letër të përbashkët, nënshkruesit thanë se mësuan "me indinjatë më 4 dhjetor për njoftimin e pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin 2026 të Eurovizion-it", raportoi sot e përditshmja "La Libre".

Grupi përfshinte figura kulturore si aktorja dhe regjisorja Yolande Moreau, regjisori Thierry Michel, humoristja Florence Mendez dhe aktori David Murgia.

Sipas raportit, nënshkruesit e letrës e krahasuan vendimin për të lejuar pjesëmarrjen e Izraelit me reagimin ndaj luftës në Ukrainë, duke theksuar: "Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) e përjashtoi Rusinë brenda më pak se 48 orësh pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 ndërsa për Gazën refuzoi ta përjashtojë Izraelin pavarësisht vazhdimit të luftës shfarosëse të zhvilluar kundër popullit palestinez".

Ata kritikuan RTBF-në dhe transmetuesin belg VRT, të cilët janë përgjegjës për nominimin e kandidatit të Belgjikës, duke shtuar se transmetuesit "kanë zgjedhur të ruajnë pjesëmarrjen e tyre në konkurs".

Sipas letrës, kjo përbën "shkelje serioze të detyrimeve etike dhe morale të kanaleve publike".

Nënshkruesit akuzuan Izraelin se përdor ngjarje kulturore për qëllime politike, duke shkruar se "prej vitesh, qeveria izraelite ka përdorur ngjarje të mëdha artistike dhe kulturore për qëllime propagandistike, me synimin për të harruar regjimin e saj të pushtimit, kolonizimit dhe aparteidit kundër popullit palestinez".

Pjesëmarrja në Eurovizion, thanë ata, i lejon Izraelit "të ruajë iluzionin se do të ishte një demokraci moderne dhe shembullore perëndimore dhe për rrjedhojë të fshehë më lehtë veprimtarinë e tij kriminale".

Letra i bëri thirrje RTBF-së "të nderojë misionin e saj të shërbimit publik duke anuluar pjesëmarrjen e saj në edicionin 2026 të Eurovizionit, për aq kohë sa një shtet që shkel nën këmbë vetë themelet e njerëzimit tonë të përbashkët është i mirëpritur".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın