Bota

17 shkurti, ditë gëzimi për qytetarët e Kosovës

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta kremtojnë këtë ditë me ndjenja të forta të atdhedashurisë dhe me kujtimin për ato që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit

Agim Sulaj  | 17.02.2025 - Përdıtësım : 18.02.2025
17 shkurti, ditë gëzimi për qytetarët e Kosovës Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Sot bëhen 17 vjet që kur Kosova u bë shtet i pavarur i njohur nga më shumë se 115 vende të botës.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta kremtojnë këtë ditë me ndjenja të forta të atdhedashurisë dhe me kujtimin për ato që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Faruk Halimi nga Prishtina, për Anadolu tha se Kosova ka arritur mjaft për këto 17 vjet që kur shpalli pavarësinë e saj. Ai thotë se Kosova mund të ishte edhe më mirë, por ka munguar uniteti politik për këtë.

"Kjo është dita më e lumtur për Kosovën. Sa i përket Kosovës, kurrë më mirë nuk ka qenë", thotë Halimi.

Duke iu drejtuar me një mesazh rinisë kosovare në këtë datë të shënuar, Halimi apeloi që "rinia mos ta lëshojnë atdheun, se atdheu është atdhe".


- Komuniteti turk është urë lidhëse e Kosovës me Türkiyen

Mësimdhënësja e shkollës "Elena Gjika" në Prishtinë, Kevser Çarıkçı, kishte dalë me një grup nxënësish të klasës së pestë nga komuniteti turk për të shënuar 17 shkurtin.

Ajo për Anadolu tha se komuniteti turk, i cili është urë lidhëse e Kosovës me Türkiyen, është shumë i lidhur me Kosovën dhe historinë e saj. Kjo lidhje, siç tha ajo, kultivohet që nga fëmijëria.

"Ne mësimdhënësit ua mbjellim fëmijëve atdhedashurinë ashtu siç mbillen fidanet në pranverë", thotë Çarıkçı.

Nxënësit e kësaj klase të cilët mbanin flamurin e Kosovës krahas atij të Türkiyes uruan pavarësinë edhe në gjuhën turke.

Kosovarët gjatë ditës së 17 shkurtit, e cila është pushim zyrtar për institucionet shtetërore, zakonisht vizitojnë Prekazin, vendlindjen e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, si dhe festojnë në sheshet e qyteteve më këngë dhe valle.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.