15 vende dënojnë “me termat më të fortë” miratimin e projektligjeve mbi Bregun Perëndimor nga Izraeli
Ata paralajmëruan kundër vazhdimit të politikave të njëanshme dhe të paligjshme izraelite dhe i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë përgjegjësitë ligjore dhe morale të tij për ta detyruar Izraelin të ndalojë përshkallëzimin
Ankara
15 vende, përfshirë Turqinë, së bashku me Ligën Arabe dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC), kanë dënuar “me termat më të fortë” miratimin e projektligjeve që imponojnë të ashtuquajturin “sovranitet izraelit” mbi Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.
Një deklaratë e përbashkët me shkrim u publikua nga Turqia, Arabia Saudite, Jordania, Indonezia, Pakistani, Xhibuti, Omani, Gambia, Palestina, Katari, Kuvajti, Libia, Malajzia, Egjipti, Nigeria, Liga Arabe dhe OIC-i, në lidhje me miratimin e Izraelit të dy projektligjeve që imponojnë të ashtuquajturin “sovranitet” mbi Bregun Perëndimor të pushtuar dhe vendbanimet e tij të paligjshme koloniale.
“Miratimi nga parlamenti izraelit i dy projektligjeve që synojnë vendosjen e të ashtuquajturit ‘sovranitet’ mbi Bregun Perëndimor të pushtuar dhe vendbanimet koloniale të paligjshme të Izraelit dënohet fuqishëm si një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht Rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila dënon të gjitha masat izraelite që ndryshojnë strukturën demografike, karakterin dhe statusin e territoreve të pushtuara palestineze, përfshirë Kudin Lindor, që nga viti 1967”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Më tej, thuhet se ky hap i parlamentit izraelit gjithashtu “shkel mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili konfirmon paligjshmërinë e pushtimit të Izraelit dhe pavlefshmërinë e masave të ndërtimit të vendbanimeve dhe aneksimit në Bregun Perëndimor”.
“Palët riafirmojnë edhe një herë se Izraeli nuk ka sovranitet mbi territoret e pushtuara palestineze”, theksohet në deklaratë.
Deklarata e përbashkët përshëndeti mendimin këshillues të lëshuar së fundmi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi pasojat ligjore të ndërtimit të një muri në Territorin e Pushtuar Palestinez dhe detyrimet e Izraelit që lidhen me të.
“Me këtë mendim këshillues, Gjykata riafirmoi detyrimin e Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar humanitar për të garantuar sigurimin e nevojave themelore për njerëzit që jetojnë në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Gazën, si dhe për të lehtësuar përpjekjet e ndihmës humanitare, veçanërisht ato të udhëhequra nga Agjencia e Ndihmës dhe Punës së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) dhe organe të tjera të OKB-së”, thuhet më tej.
Deklarata theksoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i kujtoi Izraelit detyrimin e tij për të respektuar ndalimin e përdorimit të urisë si metodë lufte, duke marrë parasysh kufizimet e Izraelit për ndihmën ndaj Gazës.
Gjithashtu, ajo përsëriti riafirmimin e gjykatës për ndalimin e zhvendosjes dhe deportimit me forcë, duke përfshirë vendosjen e kushteve të papërshtatshme për jetesë.
Gjykata riafirmoi të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur, duke kujtuar se pretendimet territoriale të Izraelit mbi Kudsin Lindor janë shpallur "të pavlefshme" nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Deklarata gjithashtu theksoi draftin izraelit "Ligji për ndërprerjen e aktiviteteve të UNRWA-së në Tokat Shtetërore Izraelite", i cili synon të përfshijë Kudsin Lindor.
Ajo paralajmëroi kundër vazhdimit të politikave dhe praktikave të njëanshme dhe të paligjshme nga Izraeli dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë përgjegjësitë ligjore dhe morale të tij për ta detyruar Izraelin të ndalojë përshkallëzimin e tij të rrezikshëm dhe veprimet e paligjshme në territoret e pushtuara palestineze.
Në fund, deklarata e përbashkët theksoi se mbështetja e së drejtës legjitime të popullit palestinez për të krijuar një shtet të pavarur dhe sovran bazuar në kufijtë e 4 qershorit të vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, është e vetmja mënyrë për të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në rajon, si dhe për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
