“Vrasjet e Rohingya-ve krijojnë klimë frike në Bangladesh”
Në më pak se një muaj, policia ka vrarë tetë refugjatë përfshirë dy të enjten në qytetin jugor Cox’s Bazar që strehon 1.2 milion refugjatë Rohingya

Dhaka
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim për rritjen e vrasjeve të supozuara jashtëligjore të refugjatëve Rohingya nga policia në Bangladesh, raporton Anadolu Agency (AA).
Në më pak se një muaj, policia ka vrarë tetë refugjatë përfshirë dy të enjten në qytetin jugor Cox’s Bazar që strehon 1.2 milion refugjatë Rohingya.
Këto vrasje të etiketuara nga autoritetet si incidente të “zjarreve të kryqëzuara” ose “përleshje me armë” janë regjistruar pas vrasjes së drejtuesit të partisë në pushtet “Awami League”. Gjashtë nga të vrarët janë akuzuar për rol në vrasje.
Human Right Watch (HRW) e përshkroi këtë deklaratë konvencionale nga forcat e ligjit si “shpjegim i njohur që shpesh është një eufemizëm për ekzekutime jashtëligjore”.
“Vrasjet kanë krijuar një klimë frike të fuqishme në kampet e refugjatëve. Njerëzit Rohingya që ikën nga masakrat nuk duhet të kenë më frikë për jetën e tyre”, tha Brad Adams, drejtor i HRW-së në Azi.
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut po ashtu kërkuan një hetim “të pavarur, të paashëm dhe efektiv” mbi vdekjen e burrave Rohingya në përleshjet e fundit me armë me policinë.
Gjatë dy viteve të fundit, 38 refugjatë Rohingya janë vrarë në zjarret e policisë, duke vendosur në pikëpyetje situatën e të drejtave të njeriut të muslimanëve Rohingya në vendin pritës.
Drejtuesit e komunitetit Rohngya pretendojnë se autoritetet shpesh i lidhin këto vrasje jashtëligjore me drogën dhe trafikimin e qenieve njerëzore, duke theksuar se çdo akuzë e tillë duhet të gjykohet në gjykatë.
“Nëse dikush nga ne akuzohet për ndonjë praktikë të kundërligjshme këtu, paraqitni ata në gjyq”, tha për AA Abdur Rahim, një refugjatë Rohingya në kampin Kutupalang.
“Ne shpëtuam nga gjenocidi në atdheun tonë dhe tani po çojmë gati një jetë nën-njerëzore në kampe. Ne duam të kthehemi në vendin tonë nëse sigurohet një mjedis i qetë së bashku me sigurinë dhe dinjitetin”, shtoi ai.
Së fundmi, Bangladeshi ka ndërmarrë një vijë të ashpër ndaj refugjatëve Rohingya pas dështimit të masës së fundit të riatdhesimit muajin e kaluar.
Vendi pritës ka vendosur ndalime për aktivitetet e 41 organizatave joqeveritare në kampet e refugjatëve Rohingya, shërbime të kufizuara të lëvizjes dhe madje është duke u planifikuar të vendos tela me gjemba rreth kampit për të parandaluar lëvizjen e refugjatëve.
Ministri i Punëve të Jashtme i Bangladeshit, AK Abdul Momen, dje në një konferencë për media përsëriti thirrjen për riatdhesimin e refugjatëve në Mianmar.
“Aleatët më të rëndësishëm të Mianmarit, përfshirë Kina dhe Rusia, tani janë në favor të riatdhesimit paqësor të refugjatëve Rohingya”, tha Momen.
Sipas Amnesty International, mbi 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra e fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladeshin fqinj pasi forcat e Mianmarit filluan një sulm ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e bërë numrin e të persekutuarve në Bangladesh mbi 1.2 milionë.
Sipas një raporti nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit Ontario (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
OIDA theksoi se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u dhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit, ndërsa mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.