“Tym i zi” në Vatikan: Raundi i parë i konklavës përfundon pa zgjedhjen e papës së ri
Duke vazhduar një traditë shekullore, 133 zgjedhës kardinalë u mblodhën në Vatikan për të filluar procesin e zgjedhjes së kreut të 267-të të Kishës Katolike, pas vdekjes së Papa Françeskut muajin e kaluar.

Gjenevë
Tym i zi u ngrit nga oxhaku në majë të Kapelës Sistine të mërkurën, duke sinjalizuar se në raundin e parë të votimit në konklavën papnore nuk u arrit të zgjidhet papa i ri, raporton Anadolu.
Duke vazhduar një traditë shekullore, 133 zgjedhës kardinalë u mblodhën në Vatikan për të filluar procesin e zgjedhjes së kreut të 267-të të Kishës Katolike, pas vdekjes së Papa Françeskut muajin e kaluar.
Dita filloi me një meshë solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, të udhëhequr nga Kardinali Giovanni Battista Re, i cili kryesoi edhe konklavën e vitit 2013 në të cilën u zgjodh Françesku.
Më pas, zgjedhësit u mblodhën në Kapelën Pauline dhe u përcollën në Kapelën Sistine, ku po zhvillohet konklava.
Kapela Sistine, e zbukuruar me afresket ikonike të Michelangelos, mbetet e izoluar nga bota e jashtme derisa të zgjidhet një papë i ri.
Sipas rregullave të konklavës, kërkohet një shumicë prej dy të tretash për të zgjedhur papën e ardhshëm.
Konklava e këtij viti vazhdon një traditë që daton që nga viti 1492, kur Kapela Sistine priti zgjedhjet e para papnore – të njëjtin vit që Kristofor Kolombi arriti në Amerikë.
Ndërsa procesi i përzgjedhjes papnore dikur zgjaste me vite, si në mesin e viteve 1200, zgjedhjet më të fundit kanë ecur me shpejtësi. Në vitin 2013, Françesku u zgjodh pas pesë votimesh gjatë dy ditëve.
Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare, pas një sërë komplikacionesh shëndetësore, përfshirë një arrest kardiak.
Konklava do të rifillojë votimin të enjten, ndërsa Kisha pret shfaqjen e udhëheqësit të saj të ardhshëm.
Nëse zgjidhet një papë i ri, nga oxhaku do të dalë tym i bardhë dhe formula “habemus papam” (latinisht për “kemi një papë”) do të shqiptohet nga kardinali protodiakon nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.