“Nuk mund t’i lija pas”: Arratisja e dëshpëruar e një gruaje libaneze me 40 mace nga sulmet izraelite
57-vjeçarja, e cila për vite me radhë kishte kthyer shtëpinë e saj në një strehë për macet endacake, u gjend e vetme në një zonë lufte, duke mbajtur mace të plagosura dhe të paralizuara, duke zbritur shkallët teksa sulmet izraelite godisnin lagjen
Bchamoun
Në kaosin e luftës, kur instinkti i mbijetesës të shtyn të ikësh vetëm me gjërat më të domosdoshme, 57-vjeçarja Diana Abbadi bëri një zgjedhje të pamundur, duke shpëtuar 40 macet e saj në vend të vetes, raporton Anadolu.
Shpëtuesja e kafshëve Abbadi, e cila për vite me radhë kishte kthyer shtëpinë e saj në lagjen Dahiye në jug të Bejrutit në një strehë për macet endacake, u gjend e vetme në një zonë lufte natën e 2 marsit, duke mbajtur mace të plagosura dhe të paralizuara, duke zbritur shkallët teksa sulmet izraelite godisnin lagjen e saj.
Rrugët ishin të bllokuara nga makinat. Familjet merrnin çfarë mund të mbanin me vete. Ndërtesat po boshatiseshin. Lagjja Dahiye, shtëpi e mbi gjysmë milioni njerëzve dhe bastion i Hezbollahut të mbështetur nga Irani, ishte nën bombardime intensive.
“U ngjita vetë në katin e sipërm, duke i marrë dy e nga dy dhe duke i zbritur në makinë”, tha ajo.
Macet me nevoja të veçanta kërkonin transport të ndarë, por ajo i premtoi vetes se do të kthehej për to. Ndërsa më në fund po largohej nga lagjia Dahiye, një goditje e fuqishme shpërtheu pranë, duke thyer xhamat përreth.
“E ktheva makinën dhe ika, ende nuk e besoj si arrita të shpëtoj. Po vozisja duke u dridhur”, u shpreh ajo.
Sot, Abbadi dhe 40 macet e saj po përpiqen të rindërtojnë jetën në Bchamoun, në rajonin e Malit të Libanit. Ajo mbërriti pa ushqim, pa rroba dhe pa asnjë send personal, vetëm me jetët që refuzoi t’i braktisë.
“Nuk mora rroba apo gjëra personale për veten. U përpoqa të shpëtoj jetët e tyre së pari. Këto jetë nuk mund të zëvendësohen kurrë”, shtoi ajo.
Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se 1 milion njerëz janë regjistruar si të zhvendosur që nga 2 marsi, me më shumë se 130 mijë që qëndrojnë në mbi 600 strehimore kolektive. Ministria e Shëndetësisë raporton mbi 900 të vrarë që nga rifillimi i luftimeve, përfshirë 67 gra dhe 111 fëmijë, si dhe 2.141 të tjerë të plagosur.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
