Zëdhënësi i KQZ-së, Elezi: Janë rinumëruar mbi 50 për qind të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Elezi tha se KQZ-ja po bënë përpjekje maksimale që të përmbyllë sa më shpejtë procesin e rinumërimit që të mund të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve
Prishtinë
Ka përfunduar më shumë se gjysma e procesit të rinumërimit të votave të zgjedhejve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në një deklaratë për Anadolu, tha se që nga 13 janari kur ka filluar procesi i rinumërimi të vendvotimeve, deri më tani, procesi ka arritur në mbi 50 për qind të rinumërimit.
"Nga data 13 janar dhe deri më tani në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat vendosi KQZ-ja. Në këtë proces do të përfshihen të gjitha vendvotimet në të cilat është zhvilluar procesi zgjedhor më 28 dhjetor që gjithsejt janë 2.557. Deri në ditën e sotme që po flasim, të premten, në këtë qendër janë numëruar më shumë se 50 për qind e vendvotimeve", tha Elezi.
Me këtë rast, Elezi tha se KQZ-ja po bënë përpjekje maksimale që të përmbyllë sa më shpejtë procesin e rinumërimit që të mund të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Sipas Elezit, KQZ planifikon që procesi i rinumërimit i të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës së ardhshme, ku pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, ashtu siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, hapet mundësia që subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të parashtrojnë ankesa.
"Subjektet politike dhe kandidatët të paraqesin, nëse kanë, ankesa. Dhe pastaj KQZ-ja duhet të presë Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatën Supreme t'i shqyrtojë ato dhe të vendos lidhur ankesat eventuale. Dhe, krejt në fund pastaj KQZ do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, që njëkohësisht do të shënonte edhe përmbylljen e procesit zgjedhor", tha Elezi për Anadolu.
- KQZ vendosi për rinumërim për shkak të parregullsive
KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e të gjitha qendrave të votimit me një vendim të brendshëm të saj, për shkak të parregullsive të shumta që gjetën në disa qendra të votimeve, me theks të veçantë në Komunën e Prizrenit, ku kishte mospërputhje të mëdha tek votat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas një raporti të KQZ-së, nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezultoi se pas rinumërimit të disa nga vendvotimeve, janë zbritur nga rezultati 36.007 vota për kandidatë të cilat u ishin regjistruar atyre më herët. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20.078 vota kandidatëve të cilat nuk u ishin regjistruar saktë atyre.
Për shkak të keqpërdorimeve, KQZ në fillim të kësaj jave mori vendim edhe për shkarkimin e përfaqësueseve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.
Prokuroria Themelore në Prizren, me vetiniciativë ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
