BALLKANI

Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte në Kosovë arreston Salih Mustafën

"Salih Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë", njofton ZPS

Agim Sulaj  | 24.09.2020 - Përdıtësım : 25.09.2020
Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte në Kosovë arreston Salih Mustafën

Prishtinë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me Seli në Hagë ka arrestuar sot në Kosovë Salih Mustafën, në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe një aktakuze të lëshuar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

ZPS nëpërmjet një komunikate për media bëri të ditur se Salih Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur.

"Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policisë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës", bëhet e ditur në njoftim.

Gjithashtu sipas ZPS-së, në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar "përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara".

ZPS nuk ka dhënë më shumë informacione mbi identitetin e Salih Mustafës, kohën kur është ngritur aktakuza mbi të dhe arsyen, por thekson se "Informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur".

Ky është arrestimi i parë i një të akuzuari nga Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë prej se ka filluar punën kjo gjykatë e cila u themelua pasi shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës votuan pro saj në gusht të vitit 2015.

Gjykata Speciale, respektivisht Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Salih Mustafa ka qenë një ndër pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në zonën e Llapit, ndërsa ka punuar edhe si zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.