BALLKANI

Zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Sali: Integrimi evropian, projekt i përbashkët i shtetit dhe shoqërisë

"Integrimi evropian nuk është vetëm proces qeveritar, por projekt shoqëror që kërkon përfshirje aktive të shoqërisë civile, sindikatave, organizatave të punëdhënësve dhe komunitetit të biznesit", tha zv/kryeministri Bekim Sali

Dzihat Aliju  | 12.03.2026 - Përdıtësım : 12.03.2026
Zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Sali: Integrimi evropian, projekt i përbashkët i shtetit dhe shoqërisë Foto: Ministria për Çështje Evropiane RMV

Shkup

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali tha se integrimi evropian është projekt i përbashkët i shtetit dhe shoqërisë, transmeton Anadolu.

Sali, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën me partnerët socialë dhe organizatat e shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, e organizuar nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) dhe Komiteti i tij për Ndjekjen e Ballkanit Perëndimor, e mbajtur në "Europe House" në Shkup.

Në fjalën e tij, ministri Sali theksoi se integrimi evropian nuk është vetëm proces qeveritar, por projekt shoqëror që kërkon përfshirje aktive të shoqërisë civile, sindikatave, organizatave të punëdhënësve dhe komunitetit të biznesit.

"Shoqëria civile e organizuar nuk duhet të jetë vëzhguese, por bashkëkrijuese e reformave. Besueshmëria e zgjerimit varet nga reforma reale, të matshme dhe gjithëpërfshirëse", theksoi Sali.

Ai nënvizoi se dialogu efektiv social është shtyllë e pjekurisë demokratike dhe parakusht për stabilitet ekonomik dhe integrim evropian. Njëkohësisht, konfirmoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtjen e hapësirës qytetare, pluralizmit mediatik dhe luftën kundër dezinformimit.

Ministri theksoi se Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron mundësi për lidhjen e reformave me përfitime konkrete për qytetarët, por suksesi i saj kërkon pronësi dhe partneritet të përbashkët në të gjitha nivelet.

Konferenca trajtoi çështje që lidhen me rolin e shoqërisë civile në negociatat e anëtarësimit, gjendjen e dialogut social si dhe lirinë e shprehjes dhe luftën kundër dezinformimit. Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, reformave dhe dialogut konstruktiv me të gjithë aktorët shoqërorë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.