BALLKANI

Zv/ministrja turke e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike mori pjesë në Forumin Maqedonas të Energjisë

"Turqia i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit aktiv me qëllim përmbushjen e angazhimeve të saj sipas Marrëveshjes së Parisit dhe mbështetjen e një transformimi të drejtë dhe gjithëpërfshirës të energjisë", tha zv/ministrja turke, Varank

Dzihat Aliju  | 16.06.2025 - Përdıtësım : 16.06.2025
Zv/ministrja turke e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike mori pjesë në Forumin Maqedonas të Energjisë Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

Zëvendësministrja turke e Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike Fatma Varank mori pjesë në Forumin Maqedonas të Energjisë (MEF), raporton Anadolu.

Varank foli në hapje të tryezës së rrumbullakët me titull "Një dekadë e Marrëveshjes së Parisit: Progresi, sfidat dhe rruga përpara për Ballkanin Perëndimor" në kuadër të MEF-it që po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Duke kujtuar se ky vit shënon 10-vjetorin e Marrëveshjes së Parisit, Varank tha se Turqia i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit aktiv me qëllim përmbushjen e angazhimeve të saj sipas Marrëveshjes së Parisit dhe mbështetjen e një transformimi të drejtë dhe gjithëpërfshirës të energjisë në shkallë rajonale.

Ajo theksoi se afërsisht 70 për qind e emetimeve globale lidhen me energjinë. Varank tha se nevojat e vendeve për energji në shumë sektorë si prodhimi, transporti dhe ngrohja po rriten dita-ditës dhe për këtë arsye transformimi i energjisë është bërë një përparësi për të ulur emetimet në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Duke tërhequr vëmendjen te fakti se në disa vende me ngarkesa energjie të bazuara në lëndë djegëse fosile si dhe ekosisteme dhe industri në zhvillim, tranzicionet drejt energjisë së pastër kërkojnë procese të kushtueshme dhe që kërkojnë kohë, siç është infrastruktura shtesë dhe e re e prodhimit, për të përmbushur nevojat e energjisë, Varank tha:

"Në këtë proces, rritja e shpejtë e kërkesës globale për energji elektrike po i bën gjithnjë e më të dukshme kufijtë e një sistemi të ri energjie të bazuar në më shumë elektrifikim. Në 10 vitet e fundit, përdorimi i energjisë elektrike është rritur dy herë më shpejt se kërkesa totale për energji dhe është bërë qendra e transformimit të energjisë. Megjithatë, konfliktet dhe ndërprerjet rajonale në shkallë të gjerë të përjetuara në rajonin tonë kohët e fundit kanë zbuluar edhe një herë se sa serioze janë rreziqet globale të sigurisë energjetike".

Varank shtoi se sistemet e energjisë më efikase dhe më të pastra kanë potencialin për të zvogëluar këto rreziqe sigurie.


- "Turqia ka bërë një rrugë të konsiderueshme në transformimin e energjisë së rinovueshme dhe ka vendosur objektiva të rëndësishme"

Zv/ministrja Varank tha se ka patur një përshpejtim të dukshëm në transformimin e energjisë së pastër vitet e fundit dhe se ky momentum është formësuar kryesisht në përputhje me politikat klimatike.

"Rritja e kapacitetit të prodhimit të teknologjive të energjisë së pastër në të gjithë botën ofron mundësi të rëndësishme për transformim më të shpejtë në përputhje me objektivat zero neto. Burimet e energjisë së rinovueshme dhe energjia bërthamore kanë qenë veçanërisht të spikatura në këtë transformim. Në vitin 2024, 38 për qind e rritjes totale të furnizimit u sigurua nga burimet e energjisë së rinovueshme", tha ajo.

Duke iu referuar rëndësisë së tranzicionit energjetik në Turqi, Varank tha: "Turqia është vend me një popullsi prej 86 milionë banorësh, ekonomia dhe teknologjia e së cilës po zhvillohen me shpejtësi. Nga ana tjetër, ajo ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe ka vendosur objektiva të rëndësishme për transformimin e energjisë së rinovueshme për shkak të qëndrimit të saj efektiv dhe të vendosur në luftën kundër ndryshimeve globale klimatike".

Ajo potencoi se transformimi i energjisë është në qendër të strategjisë afatgjate të Turqisë dhe shtoi se ata planifikojnë të rrisin prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë.

"Ne e rritëm pjesën e energjisë së rinovueshme në totalin e energjisë së instaluar në 60 për qind", tha Varank duke vënë në dukje se me këtë normë, Turqia renditet e 5-ta në Evropë dhe e 11-ta në botë.

Forumi, i cili po mbahet për herë të 8-të këtë vit me moton "Formësimi i së ardhmes energjetike të Ballkanit Perëndimor", do të përfundojë nesër me sesione të ndryshme që do të përqendrohen edhe në të ardhmen energjetike të Ballkanit Perëndimor.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.